75 Mall Live Search
18:16 / E Martë, 02 Dhjetor 2025 / KV

Këshilli Prokurorial konfirmon takimin me u.d Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë

Pas kërkesës për takim urgjent, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar takimin me ushtruesen e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Burime të “Betimi pë Drejtësi” brenda KPK-së bëjnë të ditur se takimi do të mbahet nesër më 3 dhjetor 2025, nga ora 14:00.

“Betimi për Drejtësi” gjatë ditës ka raportuar se Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, i ka kërkuar atij mbajtjen e një takimi urgjent, me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Këshillit. Takimi është thirrë pas zhvillimeve të fundit në këtë institucion.

E-maili të cilin e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi“, i është dërguar Hajdarajt nga Palatova, në të cilën takimi është kërkuar pikërisht për datën 3 dhjetor.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e çështjes, është thelbësore që takimi të mbahet me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të KPK-së”, thuhet në e-mail.

Ndryshe, Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

Ndërkaq, në mbledhjen e radhës e cila u mbajt të hënën më 1 dhjetor. në sallë mori pjesë edhe ushtruesi i ri i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, i zgjedhur nga pesë anëtarët e mbetur në mbledhjen e 20 nëntorit. Ai deklaroi se do të marrë pjesë vetëm si anëar ex-officio pa ndërhyrë në diskutime apo vendimmarrje deri në një vendim të gjykatës për rastin e kontestuar. Takimi u zhvillua mes debatesh, ku një pjesë e anëtarëve kërkuan largimin e tij nga mbledhja, duke argumentuar se prania e tij bën kuorumin e paligjshëm.

Pas përplasjeve verbale, disa anëtarë- përfshirë Visar Krasniqin, Veton Shabanin, Dardan Vuniqin dhe Arian Gashin lëshuan takimin, ndërsa për rend të ditës u propozua edhe shkarkimi i kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj. Lidhur me krizën në KPK, u diskutua edhe mbrëmë në “Tempus“.