75 Mall Live Search
14:28 / E Hënë, 22 Nëntor 2021 / MSH

Këshilli Prokurorial nënshkruan memorandum me Akademinë e Drejtësisë

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Akademia e Drejtësisë kanë nënshkruar Memorandum të mirëkuptimit për trajnimet e detyrueshme dhe trajnimet shtesë për prokurorë.

Ky memorandum, i cili u nënshkrua nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, ka për qëllim të përcaktojë kushtet, fushëveprimin e punës dhe përgjegjësitë e palëve lidhur me trajnimin e detyrueshëm dhe shtesë për prokurorët.

“Fushëveprimi i këtij memorandumi përfshin trajnimin për prokurorët, të cilët vlerësohen me performancë të pakënaqshme dhe për këtë arsye rekomandohen për trajnim të detyrueshëm dhe trajnim shtesë” thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial.

Pas nënshkrimit, Kryesuesi Maloku dhe Drejtori Fejzullahu, thanë se ky memorandum i nënshkruar sot do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve.