75 Mall Live Search
22:40 / E Premte, 05 Nëntor 2021 / MSH

Këshilltari i Albin Kurtit fajëson Qeverinë Hoti për mosftesë në Samitin në ShBA

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka akuzuar Qeverinë paraprake për përformancën jo të mirë të Kosovës në demokraci.

Sipas tij, Qeveria Hoti është fajtore për rënien e rezultatit të demokracisë, rënie kjo që penalizoi Kosovën me mosftesë në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky është shkrimi i plotë i tij:

Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020.
Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%.
Freedom House vlerëson se këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020.
Pra, ashtu sikurse Raporti i Progresit edhe ky i Freedom House e të tjerë që u publikuan janë të bazuar kryesisht në vitin e kaluar.
Kosova dhe qytetarët e saj s’kanë asnjë arsye për t’u hidhëruar por as për t’u dëshpëruar pasi rezultatet e ndryshimeve të mëdha demokratike që ata sollën këtë vit do t’i shohim të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen, ashtu siç do të shohim progres të gjithmbarshëm.