Këshilltari i Haradinajt i reagon LVV-së: Borxhi total nuk arrin shifrën 1.2 miliardë euro
Këshilltari për ekonomi i kryeministrit Ramush Haradinaj, Haki Shatri. ka reaguar ndaj një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me borxhin e Qeverisë së Kosovës, përcjellë Indeksonline.
Gjatë ditës, LVV në një postimi në Facebook ka shkruar se “qeveria skajshmërisht e korruptuar” është duke marrë borxh në emër të Kosovës dhe duke i keqpërdorur ato.
Gjithnjë sipas postimit të LVV-së, qeveria është duke marr borxh për të paguar borxhe të tjera.
“Borxhi mund të jetë një mjet për të ndihmuar zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë së Kosovës, nëse përdoret me përgjegjësi dhe mençuri. Por një qeveri skajshmërisht e korruptuar, merr para borxh në emër të Kosovës, dhe i keqpërdor ato. Një borxh i cili nuk përdoret për ta zhvilluar ekonominë, rrezikon ta shkatërrojë atë. PANqeveria po merr borxh për të paguar borxhe të tjera, po merr borxh për asfalt sepse aty mund të vjedhë shpejt e shumë, dhe po merr borxh për të paguar pagat e atyre që janë punësuar me nepotizëm dhe pa meritë në sektorin publik”, thuhej në postimin e LVV-së.

E Shatri në reagimin e dërguar mediave ka akuzuar Vetëvendosjen se është duke manipuluar me shifra.
Sipas tij, borxhi i Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë e deri më sot nuk arrin shifrën 1.2 miliardë euro.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Shatrit:
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon tendencën për të manipuluar me shifra. Në një postim të fundit të këtij subjekti politik, e që u mor nga mediat, thuhet se Qeveria Haradinaj e ka rritur borxhin publik, gjë e cila nuk qëndron dhe është totalisht e pavërtetë.
Me qëllim të informimit të saktë, i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se borxhi total publik i Kosovës nuk arrin në 1.2 miliardë euro. Kur themi total, e kemi fjalën për borxhet publike, që nga shpallja e Pavarësisë, deri më sot.
Në mandatin e Kryeministrit Haradinaj, huaja publike nuk tejkalon parametrat e pranueshëm. Struktura e investimeve është e përcaktuar me buxhetet vjetore, përmes marrëveshjes me FMN /klauzola e investimeve/ku hyjnë investimet në hekurudhë, në infrastrukturë por edhe investimet në rrugë, si shembull rruga për Mitrovicë dhe pjesa e rrugës për Pejë/Kijevë -Zahaq e cila fillon në shtator. Secila kredi shtetërore duhet të ratifikohet në Kuvend. Nuk ka asgjë misterioze në shpenzimet dhe huat.
Kosova ka borxh publik vetëm 17 % të GDP që është ngarkesa më e vogël nga të gjitha vendet e rajonit.
Kriteret e FMN-së e lejojnë borxhin deri në 40% të GDP. Është mirë që Lëvizja Vetëvendosje, para se të dalë me “fakte” (shpifje) të bëjnë analiza të sakta. Nuk duhet që të mashtrohen qytetarët me manipulim të shifrave për qëllime politike. Faktet janë fakte, e ato tregojnë që zhvillimi ekonomik, si prioritet i Qeverisë ka dhënë rezultate të prekshme. /Indeksonline