75 Mall Live Search
19:29 / E Enjte, 16 Janar 2020 / indeksADMonline

Këshilltari i Ilir Metës për Haradinajn: E ka dëshmuar me vepra sa e don Kosovën

Këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, Flamur Gashi, i ka dalë në përkrahje kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinajt, pas padisë që homologu i tij shqiptar Edi Rama, i bëri për shpifje.

Ai përmes një shkrimi në ‘Facebook’ ka shkruar se Haradinaj dhe familja e tij kanë dhënë për lirinë e Kosovës dy bij, dhjetra plagë dhe kanë bërë një rezistencë dhe sakrificë të jashtëzakonshme.

“Nuk ka njerëz të pagabueshëm në këtë botë, por Ramushi dhe familja e tij e kanë dëshmuar me vepra se sa dhe si e duan Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha trojet shqiptare”, ka shkruar këshilltari i Ilir Metës.

Në tetor të vitit të kaluar, në dy emisione të ndryshme televizive, Ramush Haradinaj i kishte dhënë disa deklarata të forta për Edi Ramën.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të martën ka deponuar një padi për shpifje në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj.

Tema për të cilën filluan polemikat e Edi Ramës e Ramush Haradinajt ishte “shkëmbimi i territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”.