Këshilltari i ish-kryeministrit Kurti kampion për shpenzime në një mujorin e parë të punës në Qeveri

Më 3 shkurt të vitit 2020, për herë të parë, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje arriti ta drejtoi vendin, pas lidhjes së koalicionit me LDK-në, me kryeministër Albin Kurti.
Indeksonline ka kërkuar qasje në dokumente publike nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për të parë se cilat ishin shpenzimet për një mujorin e parë të Kabinetit të ish-kryeministrit Kurti.
Sipas këtij dokumenti Kabineti Qeveritar i Kurtit, për një mujorin e parë, ka shpenzuar gjithsej 8,400.73 euro.
Vetëm ish-kryeministri Kurti, kishte shpenzuar nga buxheti i shtetit për bileta, telefon, karburant 1,067.85 euro. Ndërsa asnjë cent për mëditje, akomodim jashtë vendit, dreka e taksi.
Por, më shumë se shefi i tij, shpenzime kishte bërë për vetëm një muaj, këshilltari politik i Kurtit, Erzen Vraniqi.
Ai mëditje kishte marrë 273.00 euro, për akomodim jashtë vendit kishte shpenzuar 801.50 euro, e për bileta 567.01 euro.
Kujtojmë që në të kaluarën Vraniqi ka punuar edhe në Komunën e Prishtinës ku ka qenë pjesë e kabinetit të Shpend Ahmetit.