Këshilltari i Kurtit i kërkon falje Jasharajt: Kam bërë një cilësim të padrejtë

Elvis Hoxha – këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti – i ka kërkuar falje kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharajt, pasi që e quajti anëtar të partisë serbe.
Kjo vjen pas një shkrimi që Hoxha, i cili jeton në Tiranë, postoi në llogarinë e tij në Facebook ku tha se nuk është aspak e çuditshme që Rahman Jasharaj përdor grevën e mësuesve pikërisht kur duhet të forcohet sovranitetit në veri të Kosovës.
“Ajo që është e dhimbshme, është pjesëmarrja e mësuesve në këtë grevë që ka për shef anëtarin e partisë serbe”, ka shkruar Hoxha.
Madje, ai vazhdoi tutje me një postim tjetër në Facebook duke thënë se shpreson që ‘kosovaristët’ nuk do të kërkojnë që ta shpallin atë person non grata në Kosovë.
Këto shkrime të këshilltarit politik të Kurtit ngjallën reagime të shumta në Kosovë. Pati edhe të tillë që e kërcënuan atë.
Blerim Syla nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndërmarrë masa ndaj Elvis Hoxhës, përndryshe tha se nuk do të garantojë për veprimet e tij.