75 Mall Live Search
17:53 / E Hënë, 15 Qershor 2020 / indeksADMonline

Këshilltari i Vitisë i reagon qeverisë Hoti: Pika kufitare në Mutivodë sa për dijeni ka qenë e hapur vazhdimisht

Sami Uka, këshilltari i ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka komentuar vendimin e sotëm të qeverisë Hoti për hapjen e disa pikave kufitare, ndër to cilat edhe ajo në Mutivodë.

Ai thotë se e njëjta pikë ka qenë e hapur dhe se QKMF në Prishtinë ka siguruar ekipin mjekësor 24/7 që nga 9 marsi 2020 (d.t.th. deri dje me 14 qershor 2020 plot 98 ditë me ekipe (1 Mjek dhe 1 infermiere) 12 orëshe).

Ky është postimi i plotë i tij:

Sot Qeveria e Republikës së Kosovës, në kuadër të masave lehtësuese për luftimin e pandemisë COVID 19, paska vendos me i hap edhe disa pika kufitare, sipas saj deri tani të mbyllura. Mes këtyre pikave qenka edhe pika kufitare në Mutivodë, e cila sipas Qeverisë sonë do të hapet nga 22 qershori 2020!!!

Për hirë të informimit të drejtë të qytetarëve, por edhe punës së palodhshme të profesionistëve të QKMF-së në Prishtinë, më duhet të njoftojë se kjo pikë (me gjasë pa dijenin e Qeverisë) ka qenë e hapur vazhdimisht dhe QKMF në Prishtinë ka siguruar ekipin mjekësor 24/7 që nga 9 marsi 2020 (d.t.th. deri dje me 14 qershor 2020 plot 98 ditë me ekipe (1 Mjek dhe 1 infermiere) 12 orëshe). Gjatë kësaj periudhe nëpër këtë pikë kufitare kanë kaluar plot 1313 qytetarë dhe të njëjtit janë regjistruar dhe kontrolluar nga ekipet tonë mjekësore.

Tani, për ne mbetet e paqartë nëse puna jonë 24/7 për këto 98 ditë (që vazhdon edhe sot) dhe qarkullimi i këtyre 1313 qytetarëve paska qenë ilegale apo legale. Aq më tepër, që për momentin QKMF në Prishtinë përballet me mungesë të theksuar profesionistësh dhe angazhimi i një ekipi të tillë ‘ilegal’, ka vështirësuar jo pak mbarëvajtjen e punës sonë. Tashmë, marrë parasysh këtë “injorim” specifik, si dhe largimin pothuajse të plotë masave parandaluese të përhapjes së pandemisë, që ka mundësuar vlimin e rasteve brenda Kosovës, “sakrifikimi” i ekipeve mjekësore nëpër pika kufitare vetëm po krijon tollovi dhe mundësi shtesë për përhapje infeksioni.

Prandaj, është koha që ekipet e MF të angazhuara në kufi t’i kthehen punës normale nëpër institucionet e veta ku janë shumë më të nevojshme dhe më të dobishme. Përndryshe një punë e madhe po kryhet gjithandej dhe nuk është mirë që, as rastësisht, të mohohet kaq lehtë angazhimi i palodhshëm i këtyre 196 punonjësve të angazhuar në këto 98 ditë nga 12 orë.