Këshilltarja e Haradinajt pas deklaratës së Brnabiq: Ky vend ka vuajtur për zot shtëpie
Pas deklaratës së kryeministres serbe, Ana Brnabiq ku ndër të tjerash përfaqësuesit shtetëror të Kosovës i quajti “njerëz të malit” ka reaguar edhe këshilltarja e kryeministrit të vendit,Ramush Haradinaj, Meliza Haradinaj-Stublla.
Meliza Haradinaj Stublla tha se pikërisht ashtu siç ka konfirmuar sot edhe Raporti i Komisionit Evropian, Serbia mbetet e zhytur në sistem të qelbur, për shkak të politikave si kjo, që pretendojnë kinse punojnë për vlera e standarde evropiane, por zemrën e sytë i mbajnë kah Rusia, transmeton Indeksonline.
Postim i plotë:
Do të ishte e papranueshme në Kosovë e kudo në botë, por është paradoksalisht normale që në Serbi, në pasditen e sotme, në prani të Ambasadorit të BE-së Sem Fabrizi, kryeministrja serbe Brnabiq i quan shqiptarët ‘njerëz të malit’ – duke aluduar në vendimin për vendosjen e taksës 100%.
Pikërisht ashtu siç konfirmoi edhe sot Raporti i Komisionit Evropian, Serbia mbetet e zhytur në sistem të qelbur, pikërisht për shkak të politikanëve si kjo, që pretendojnë kinse punojnë për vlera e standarde evropiane, por sytë dhe zemrën e mbajnë kah Rusia!
Fatmirësisht, mungesa e njohjes reciproke – tani me taksën 100% në fuqi – ka filluar t’i kushtojë edhe Serbisë, e jo si rëndom vetëm Kosovës.
Ky vend ka vuajtur për zot shtëpie!