23:01 / E Enjte, 14 Mars 2019 / indeksADMonline

Këshilltarja e MPB-së thotë se përmes luftës hibride Stefanoviq përpiqet ta tensionojë situatën në veri

Lajmet e rreme të përditshme për ndërhyrjen e pjesëtarëve të policisë, ushtrisë së Kosovës në pjesën veriore të lansuara nga numri një i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, sipas këshilltares në Ministrinë e Brendshme të Kosovës, Myzejene Selmani, janë treguesi më i mirë se Beogradi po zhvillon një luftë të rrezikshme speciale dhe psikologjike kundër Kosovës.

Kosova, sipas Selmanit, po i eksponohet një lufte hibride duke ngritur tymnajë në opinionin publik të Serbisë.

“Formula e kësaj lufte hibride është e njëjta si në të kaluarën- përpjekja të thuhet se ekziston lufta edhe atëherë kur nuk është. Të gjitha këto imagjinata të Stefanoviqit plasohen qëllimisht për të krijuar panik dhe histeri duke mbajtur në narkozë banorët serb në pjesën veriore të Kosovës”, ka shkruar Selmani në llogarinë e saj në Facebook.

Policia dhe ushtria e Kosovës, sipas saj, nuk janë forca që ngrehin duar mbi popullin e vet apo “sulmojnë” ndonjë pjesë të vendit të vet.

“Kjo formë e luftës e shoqëruar me dezinformata të plasuara në mediat serbe me një qëllim të caktuar nga ana e Stefanoviqit ka të bëjë me përpjekjet e tij për të mbajtur nën presion banorët e pjesës veriore të vendit. Stefanoviqi dhe soji i tij vetëm me këtë lloj ushqimi mediatik e mbanë veten në pushtet. Ai aftësin e pamjfatueshme të tij për tu përgjigjur në shumë çështje e fsheh me kundër sulme ndaj forcave të sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Selmani.

Kjo luftë hibride, sipas saj, është emërtim i ri për metoda të vjetra të luftës speciale që e ka përdorë gjithmonë Serbia.

“Një nga metodat themelore kur vepron lufta hibride përmes mediave është dezinformimi. Këtë skemë e keni zbardhur vetë ju Stefanoviq në vitet e ’90 me luftërat që keni zhvilluar ndaj shteteve të cilat dikur ishin pjesë e ish Jugosllavisë”, ka përfunduar Selmani.