16:38 / E Enjte, 24 Qershor 2021 / OSH

Këshilltarja e Nagavcit: Zgjedhja e dekanit të Juridikut në “Haxhi Zeka” nuk është kompetencë e MAShT-it

Këshilltarja politike dhe zëdhënësja e ministres së Arsimit, Arberie Nagavci, Edona Kutleshi- Maliqaj, ka reaguar për zgjedhjen e dekanit të Fakultetit Juridik në Universititin “Haxhi Zeka” në Pejë, duke bërë të ditur se përzgjedhje e tij por edhe të tjerëve nuk është kompetencë e MAShT-it.

Reagimi i saj vjen pas deklarimeve në medie se Abdullah Robaj, i zgjedhur tashmë dekan është i dënuar me burg në vitin 2011.

“Sqarim rreth raportimit në media për zgjedhjen e një dekani në Universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë

Sipas statuteve të Universiteteve publike, dekanët dhe prodekanët zgjedhën me shumicë votash nga Këshilli i njësisë akademike dhe i propozohen Senatit për miratim për një periudhë katërvjeçare, nga radha e profesorëve të fakultetit përkatës, me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandate”, ka shkruar Kutleshi- Maliqaj.

Ajo tutje ka sqaruar se MAShT ska të bëj asgjë me këtë zgjedhje.

“Zgjedhja e dekanëve nuk është kompetencë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit por e universiteteve publike të cilat janë institucione autonome.

Pra, MASHTI nuk ka të bëjë asgjë me zgjedhjen e dekanit të Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë siç po raportohet në media”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër vetë Robaj ka thënë se  këto janë shpifje që po bëhen ndaj tij.

“Këto akuza janë çështje të ulëta me të cilat as nuk dua të merrem. Unë i pashë disa reagime dje. Të gjitha këto po i bën Kolë Krasniqi, i cili e ka vërejtjen e fundit për largim nga puna. Sa i përket zërave se kam qenë i dënuar, nuk qëndrojnë. Më 2011 e kam pasur një aktakuzë, e cila është hudh poshtë një vit më vonë nga Gjykata e Apelit. Pra, katër vjet pas mbylljes së çështjes, unë kam filluar punën në Universitetin e Pejës”, ka deklaruar ai për medie.