14:39 / E Diele, 02 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Kështu e vlerësojnë analistët kosovar shortin e Kosovës për Euro 2020

Përfaqësuesja e Kosovës ka mësuar sot kundërshtarët për fazën eliminatore të Kampionatit Evropian, Euro 2020, në Dublin të Francës.

Drejt rrugës për në kompeticionin, që do të zhvillohet në 12 qytete, Kosova do të ketë disa përbalje mjaft të vështira.

”Dardanët” janë renditur në grupin A me Kombëtare si Anglia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Çekia, shkruan IndeksOnline.

Shumë e konsiderojnë të vështirë këtë grup, por shtesë e mirë për Kosovën është se kemi edhe mundësinë e kualifikimit nga Liga e Kombeve.

Megjithatë, shpresat nuk duhen humbur, duke u bazuar se jemi një Kombëtare në ngritje, dhe se jo gjithnjë kualifikohen favoritët.

Për ta diskutuar shortin e Kosovës, IndeksOnline ka kontaktuar me disa prej njohësve të futbollit kosovar.

Muhamet Dragusha sheh vështirësi të mëdha në rrugëtimin e Kosovës, por sipas tij, djelmoshat kosovar kanë shpresë.

”Grupi është shumë i fortë, është i mirë për futbollin e Kosovës që ta promovojmë edhe më shumë në shtetet e pasura në futboll dhe të tregojmë talent dhe vlera”.

”Është kënaqësi që kemi në grup një Kombëtare si Anglia që është djep i futbollit evropian, kurse Çekia, Bullgaria e Mali i Zi mendoj se kanë cilësi më të larta se ne”.

”Por, edhe Kosova ka ngritje dhe mendoj se diferenca me këto tri shtete (jo me Anglinë) do të jetë përvoja e tyre në këto gara”.

”Dëshira ime, normalisht, është të përfundojmë në vendin e dytë dhe duhet të besojmë pasi Kosova është në ngritje të cilësisë dhe nivelit të lojës”.

”Shpresoj të jemi në Evropian më shumë përmes Ligës së Kombeve, pasi aty mundësia është edhe më e mirë”, u shpreh Dragusha për IndeksOnline.

Tutje, shortin e Kosovës, e ka komentuar edhe trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli. Ish-trajneri i Llapit tha se Kosova ka gjasa të mira për kualifikim.

”Në bazë të ngritjes së cilësisë në Përfaqësuesen tonë, jam optimist se skuadra jonë mund ta kërkojë kualifikimin”.

”Mund të themi se kemi pasur fat në short dhe mund të them se duke pasur parasysh ngritjen e cilësisë, jam optimist se do të kualifikohemi”, tha Sokoli për IndeksOnline.

Për fund, trajneri i Ferizajt, Afrim Tovërlani tha se Përfaqësuesja kosovare nuk është favorit në grup, por siç thotë ai, gjithnjë favoritët nuk kalojnë.

”Realisht, Përfaqësueset tjera janë favorite, por si shpeshherë është dëshmuar se favoritët nuk e kalojnë gjithnjë grupin”.

”Mendoj se Kosova është në ngritje të cilësisë dhe se nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm të fitojmë”.

”Do të jetë një përvojë shumë e mirë e këtyre futbollistëve të ri dhe mendoj se nuk jemi outsajder, por duhet ta marrim me maturi. Anglia është favorit i grupit”, tha Tovërlani./IndeksOnline/