14:12 / E Enjte, 08 Qershor 2023 / LB

Kështu përgjigjet Kurti për Asociacionin pas pyetjes së deputetes Ariana Musliu-Shoshi

Kryeministri Kurti është pyetur sot në seancën e Kuvendit të Kosovës edhe në lidhje me hapat konkretë që ka bërë për çështjen e Asociacionit, për të cilën po i bëhet presion i madh ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti u pyet për këtë çështje nga deputetja e PDK-së, znj. Ariana Musliu-Shoshi.

Kurti ka pranuar se ka nisur negociatat nga 2 maji.

Megjithatë, Kurti përgjigjen e tij e nisi me një histori të panevojshme të gjithë asaj që kishte ndodhur.

“Nga 2 maji, procesi është hapur për negocim,” – tha Kurti.

Kryeministri vazhdoi duke informuar edhe për lirimin nga detyra të Ekipit Menaxhues, duke dhënë edhe arsyen se kjo ishte bërë “për shkak të shkeljeve serioze mbi parimet me të cilat do të duhej ta kryente punën e saj.”

Kurti tha se Ekipi Menaxhues nuk ishte koordinuar me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), siç ishte paraparë në planin e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2013.

I pyetur se çka po bënte konkretisht ai për të adresuar kërkesat ndërkombëtare, Kurti u shpreh se e kishte prezantuar draft-vizionin e tij më 2 maj.

“Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin. Porsa të lexohet teksti kuptohet se si do të duket në vijim. E konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare.” – tha kryeministri i Kosovës.

Ai u shpreh se mund ta thellonte më tej këtë vizion të tij, mirëpo kjo kërkonte pajtueshmëri në parim.

“Nuk mund të shkruajmë tekste alternative për të cilat do të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim.” – theksoi kryeministri i Kosovës.