75 Mall Live Search
21:00 / E Hënë, 06 Qershor 2022 / AR

Kështu protestuan disa veteranë sot, nën hijen e shtatores së Rugovës!

Paraditen e sotme u mbajt protesta e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në oborrin e ndërtesës së Kuvendit.

Protesta që nisi në orën 10:00 eskaloi, pasi protestuesit u futën në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

Derisa pjesa dërmuese e veteranëve u afruan pranë Kuvendit, disa të tjerë “protestuan” në një mënyrë të veçantë.

Në një fotografi të bërë nga fotoreporteri i Indeksonline Blerim Uka, shihet se disa persona zgjodhën pushimin nën hijen e shtatores së presidentit historik Ibrahim Rugova.

Veteranët kishin dalë të protestojnë për mospërfshirjen e tyre në ngritjen e pagës minimale që është propozuar nga Qeveria.

Ligji ishte paraparë të votohej sot në Kuvendin e Kosovës, por nuk kaloi për shkak të mungesës së kuorumit.

Gjatë protestës u përdor edhe gazi lotsjellës, por nuk dihet se kush e kishte gjuajtur.