23:19 / E Premte, 10 Korrik 2020 / indeksADMonline

Kështu rrjedhi e tërë ngjarja deri te ndërprerja e seancës së Kuvendit

Është ndërprerë seanca për rishikimin e buxhetit, pasi deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj i është vërsulur kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit.

Gjithçka filloi kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu mori fjalën, e Fitore Pacolli nga VV-ja ndërhyri duke i thënë diçka, shkruan Indeksonline.

Ganimete Musliu: Unë sot nuk du me fol aspak për projektbuxhetin për të cilin është duke u diskutu, sepse vërtetë është shumë patetike dhe shumë e rëndë të dëgjohet ky debat i kontaminuar. Fitore mbylle gojën kur t’flas une.

Vjosa Osmani: Keni kujdes me gjuhën që e përdorni.

Ganimete Musliu: Edhe njëherë po t’tham, mbylle gojen Fitore kur une t’flas, a po don edhe niher me t’thënë.

Vjosa Osmani: Kolege po ta tërhjegi vërejtjen sepse gjatë tërë kohës kur kanë fol kolegët tjerë, edhe ju keni fol, nuk keni nevojë me përdorë gjuhë fyese.

Ganimete Musliu: Edhe une prap po e përsëris, kur t’flas une kur e kërkoj fjalën, le të dëgjoj deri në fund, nuk është ajo që ma përcakton rendin e ditës dhe fjalën time. Ju jeni ajo që ma tërhjekni vërejtjen dhe ti e din pse une e kom marrë fjalën tani.

Vjosa Osmani: Prandaj po ta tërhjeki vërejtjen, une pata mirëkuptim për juve zonja deputete.

Në atë moment është ngritur në këmbë deputeti nga LDK-ja, Xhavit Ukaj.

Vjosa Osmani: A po ulesh zotëri deputet, ulu dhe mos bërtit sepse jeni ju që më së shumti e keni përdorur fjalën paranojak. Ulu ose kërkoj nga sigurimi për me t’qit jashtë, a kuptove cka t’thash. Vazhdon zonja Ganimete Musliu e ka fjalën, te foltorja.

Ndërkohë vazhdojnë përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe Xhavit Ukajt, teksa Ganimete Musliu flet nga foltorja.

Por Xhavit Ukaj shkon drejt Osmanit, dhe i drejton gishtin duke i thënë dicka, teksa deputetët tjerë e largojnë.

“Të ndëruar deputetë kjo seancë ndërpritet për shkak të paedukatës së disa deputetëve”, u shpreh Osmani.

Pas kësaj Osmani e ka lajmëruar rastin në Polici, ndërsa Indeksonline mëson që ekipet janë drejt Kuvendit.