19:58 / E Hënë, 11 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Këta futbollistë munguan në stërvitjen e parë të Kosovës

Kombëtarja e Kosovës nuk ishte e kompletuar në stërvitjen e parë që e zhvilloi të hënën në Prishtinë, para ndeshjes me Çekinë.

Nga lista e 24 futbollistëve të ftuar nga trajneri Bernard Challandes munguan 8 futbollistë, disa prej tyre për shkak të lëndimit e disa lojtarë që patën ndeshje të dielën qëndruan në hotel për regjenerim, shkruan Indeksonline.

Mbrojtësi Leart Paqarada ka pësuar një lëndim që nuk është shumë serioz, por me kërkesën e klubit Sandhasen ai është liruar nga Challandes për këtë stërvitje, ndërsa mesfushori Herolind Shala ka pasur tretman mjekësor pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e fundit me Valerengan.

Poashtu munguan, Milot Rashica, Benjamin Kololli, Edon Zhegrova, Mërgim Vojvoda, Idriz Voca dhe Bersant Celina.

Lajmi i mirë vjen nga sulmuesi Vedat Muriqi që doli në stërvitje por ushtroi ndaras nga ekipi, ai ka ende dhimbje në nyjën e këmbës por pritet të jetë i gatshëm për sfidën e madhe ndaj Çekisë.

Stërvitja në përgjithësi ishte më e shkurtër se zakonisht. Kombëtarja e Kosovës stërvitjen e ardhshme do ta mbajë të martën në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 18:00.