Këta janë emrat e katër konsujve të shkarkuar nga Osmani

U.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, para pak minutash ka marrë vendimin për t’i shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm, saktësisht për konsujt e përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
IndeksOnline mëson se konsujt e shkakuar janë: Flakron Shala, konsull i përgjithshëm në Pragë, Blendi Kilaj konsull i përgjithshëm në Lubljanë, Lindon Kqira në Shkup dhe Halim Krasniqi në Tiranë.
Ky vendim i Osmanit erdhi pas reagimeve të shumta për emërimin e djalit, Flakron Shala, të deputetit Haxhi Shala.
Lidhur me emërimin e Shalës, Hoti sot ishte deklaruar se nuk kishte informata dhe se e kishte marrë vesh nga mediat për këtë.
Mirëpo, në një dokument që ka siguruar IndeksOnline thuhet se dekreti i presidentit për emërimin e Shalës si konsull i përgjithshëm në Çeki, i është dërguar edhe kryeministrit Hoti më 20 tetor 2020.
Për shkarkimin e katër konsujve, Osmani ka dhënë këtë sqarim:
Sa u përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekutuar-pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim i cili nuk ishte marrë për bazë nga presidenti paraprak./IndeksOnline/