75 Mall Live Search
08:21 / E Diele, 26 Mars 2023 / Gj. Sh

Këta janë gjyqtarët e ndeshjes Kosova – Andora

Kombëtarja e Kosovës e nisi me barazim ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Të përzgjedhurit e Alain Giresse morën sonte një pikë nga përballja me Izraelin, që vlerësohet si një prej rivalëve për dy pozitat e para në grup.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bloomfield” përfundoi me rezultatin 1:1. Kjo ishte ndeshje e parë në kuadër të Grupit I.

“Dardanët” pas tre ditësh (28 mars) do të zhvillojnë ndeshjen e dytë dhe të fundit për këtë muaj, atë kundër Andorrës.

Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim prej orës 20:45.

UEFA ka zbuluar tashmë edhe emrat e gjyqtarëve të deleguar për këtë përballje. Të katër gjyqtarët janë austriakë.

Sebastian Gishamer do të jetë gjyqtari kryesor, teksa ndihmësit e tij do të jenë Roland Riedel dhe Santino Schreiner.

Jager Christopher është caktuar për në rolin e gjyqtarit të katërt.