16:59 / E Premte, 19 Nëntor 2021 / MSH

Këtë fundjavë mund të vaksinoheni edhe në aeroport

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se këtë fundjavë (20 dhe 21 nëntor), një ekip mobil i vaksinimit do të vendoset në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, për të vaksinuar qytetarët e interesuar, njofton Indeksonline.

Ky ekip i vaksinimit, që do të jetë nga QKMF-ja e Komunës së Obiliqit, do të vaksinojë në aeroport në këto dy ditë nga ora 8 e mëngjesit, deri në ora 16:00.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilët nuk janë vaksinuar ende apo nuk e kanë kompletuar vaksinimin me të dy dozat që ta bëjnë sa më parë këtë, ndërkohë që po bëhen përgatitjet që brenda disa ditësh të fillohet edhe me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë.