20:41 / E Shtunë, 17 Nëntor 2018

Këtë vit 95 persona u lënduan në punë, 18 prej tyre humbën jetën

Ndonëse ekziston ligji që mbron të drejtat e punëtorëve, ky ligj nuk po gjënë zbatimin e duhur në Kosovë. Kjo pasi sektori privat mbetet sektori më i diskriminuar, ky punëtorëve u shkelen të drejtat nga punëdhënësit.

E rastët e fundit të lëndimeve në punë të cilat disa prej tyre përfunduan edhe me vdekje, ka bërë që Inspektorati i Punës të shtoi kontrollet nëpër subjektet punuese, ku edhe po shqipton gjoba.

Nga muaji janar  deri në shtator, Inspektorati i Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shqiptuar 216 gjoba, ndërsa në periudhën e njëjtë për vitin e kaluar janë shqiptuar 163 gjoba, gjë që tregon se është rritur numri i gjobave.

Në një përgjigje nga IP-es për Indeksonline bëjnë të ditur se numri i inspektimeve për nëntë mujorin e këtij viti është 6 mijë e 960 inspektime.

“Në periudhën janar-shtator 2018 Inspektorati i Punës ka realizuar ka realizuar gjithsej 6875 inspektime, nga te cilat 3803 inspektime sipas planit te punës, 1995 inspektime te përsëritura, me ç’rast inspektoret kane evidentuar eliminimin e shkeljeve te konstatuara me rastin e inspektimit paraprak, 947 inspektime sipas ankesës se palëve te cilat kane konsideruar qe po u shkelen te drejtat e tyre juridike si dhe 130 inspektime ne bashkëpunim me institucionet tjera te mbikëqyrjes se zbatimit te ligjeve. Nga këto inspektime janë inspektuar gjithsej 27634 të punësuar nga të cilët 20570 janë meshkuj rezident, 6975 femra rezidente, 11 meshkuj të huaj dhe 78 femra të huaja”, thuhet në përgjigjën e tyre.

Si rezultat i kontrolleve nga inspektorati, punëdhënësit janë obliguar të legalizojnë marrëdhënies e punës se 618 të punësuarve të cilët kanë punuar në mënyrë informale.

“Në 1048 raste punëdhënësit janë obliguar që të realizojnë të drejtën e shfrytëzimit të pushimit vjetor të të punësuarve, në 26 raste të drejtën që lidhet kompensimin e punës për orarin më të gjatë se orari i rregullt i punës, në 69 raste janë obliguar të realizojnë pagën minimale, ndërsa në 5 raste janë obliguar të respektojnë të drejtën e pushimit të lehonisë”, thuhet mes të tjerash në përgjigjën e tyre.
Për shkak të mos funksionimit të ligjit që do t’I obligonte bartjen e pajisjeve personale mbrojtëse, në shumë subjekte punuese kanë vdekur punëtorët në vendin e punës.

Në përgjigjën e Inspektoratit thuhet se gjatë këtij vitit kanë ndodhur 20 vdekje në vendin e punës, prej të cilave 18 kanë qenë aksidente tek punëdhënësi, ndërsa dy kanë qenë vdekje natyrore.

“Ne vitin 2018 kane ndodhur 20 vdekje ne vendin e punës, ne mesin e te cilave 2 vdekje janë vdekje natyrore dhe nuk kane te bëjnë me ndonjë aksident, 4 raste te vdekjeve qe lidhen me ushtrimin e punës kane ndodhur ne shtëpi private (pra, te këto raste nuk ka marrëdhënie pune), ndërsa në 2 raste, te vdekurit ne vend te punës kane qene pronar apo bashkëpronar, dhe rrjedhimisht edhe këtu nuk ka pasur relacion punëdhënës – punëtor. Rastet tjera janë aksidente qe kane ndodhur tek punëdhënësi”, theksohet në përgjigjen e tyre.

Për shkak të parregullsive nëpër punishte ndërtimore, IP ka marrë vendim për 26 pezullime.

“Numri i vend punishteve ndërtimore të cilave iu ka pezulluar puna për kohës ishte deri në evitimin e parregullsive, me vendim të inspektorit të punës për shkak mos marrjes së masave të sigurisë në punë dhe të kushteve jo të mira të punës është, 26 pezullime”, kanë bërë të ditur zyrtar nga IP.

Ndërsa, për punëtorin e Bechtel Enkas që qëndroi për gati dy orë i varur në vinq, Inspektorati thotë se ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka vepruar konform ligjeve.

Sipas tyre, ky shembull tregon se pajisja me pajisje personale mbrojtëse ia shpëton jetën punëtorit.

“Inspektori i Punës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka vepruar konform legjislacionit ne fuqi duke konstatuar edhe gjendjen faktike. Mirëpo, pikërisht ky rast është rasti i cili duhet te merret si shembull qe na shërben pozitivisht se çka nënkupton nëse punëtori është i pajisur me Pajisje Personale Mbrojtëse përkatëse dhe nëse i përdorë ato pajisje. Pra, edhe kur ndodh aksidenti ne vendin e punës, nëse i punësuari ka PPM dhe i përdorë ato, mund te shpëtoj jetën. Punëtori ne fjale, i cili për një kohe të gjatë ka qëndruar i varur ne një lartësi te madhe (afërsisht 45 m), ka qene i pajisur me Pajisje Personale Mbrojtëse dhe kjo i ka shpëtuar jetën (shiriti lidhës). Po te mos i kishte PPM dhe te mos i përdorte, sigurisht qe pasojat do te ishin shume me te mëdha, duke mos përjashtuar edhe fatalitetin”, thonë zyrtar nga inspektorati.

Sa i përket numrit të aksidentuarve në vendin e punës nga janari deri në shtator është 95 raste.

77 aksidente në punë kanë përfunduar me lëndime në vend të punës, ndërsa 18 me vdekje.

Me qellim te ngritjes se nivelit te Sigurisë dhe Shëndetit ne Pune, gjate vitit 2018 MPMS ka çertifikuar 36 persona nga Komisioni Profesional për Siguri dhe Shëndet në Punë, të cilët ushtrojnë detyra që lidhen me SShP tek punëdhënësi. Gjithashtu janë licencuar 6 persona juridik të cilët kryejnë punë nga SShP./Indeksonline/