22:34 / E Shtunë, 18 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Këto janë 19 komunat që nesër votojnë për herë të dytë (Grafik)

Nesër 19 komuna të Kosovës do të votojnë për herë të dytë për të zgjedhur kryetarët që do të qeverisin me to në katër vitet e ardhshme.

Raundi i dytë i votimit u caktua nga KQZ të mbahet nesër, pasi në zgjedhjet e 22 tetorit në këto 19 komuna rezultatet mes partive ishin të ngushta dhe nuk arritën të nxjerrën fituesit, shkruan Indeksonline.

Nesër nga ora 7 e mëngjesit deri në 19 të mbrëmjes në 614 qendra të votimit, janë 1 milion e 353 mijë e 613 persona që kanë të drejtë vote për kryetarë komunash.

Kurse janë 38 kandidatë që do t’i hyjnë garës së nesërme për të fituar primatin e të parit nëpër komunat e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet për balotazhin që do të zhvillohet këtë të dielën.

Harta (me ngjyrë të verdhë) e Raundit të Dytë të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave dhe e rivotimit për Kryetar në komunën e Parteshit.

Raundi i Dytë mbahet në komunat: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot. Kurse në Partesh do të rivotohet për Kryetar të kësaj komune./Indeksonline/