13:24 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Këto janë komunat më transparente në Kosovë

Instituti Demokratik i Transparencës ka publikuar Indeksin e Transparencës dhe Llogaridhënies nga Komunat për 2019, ku komuna e Rahovecit është renditur e para sa i përket transparencës komunale për qytetarët e saj.

KDI ka bërë matjen e transparencës në 38 komuna të Kosovës me qëllim të pasqyrimit të rezultateve të komunave si hap i parë për ngritjen e nivelit të transparencës.

Gjatë këtij hulumtimi, KDI ka monitoruar 34 komuna përderisa OJQ ‘Aktiv’ ka kryer hulumtimin në katër komuna Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Caleb Waugh nga OJQ ‘Aktiv’ tha se niveli i qeverisjes në raport me qytetarët është shumë i rëndësishëm dhe se aktivitetet legjislative kanë vendosur qeverisje të mirë dhe kanë treguar ngritje të nivelit të transparencës.

Ai tha se edhe pse ka shume sfida dhe probleme, është bërë një përmirësim pozitiv në procesin e transparencës dhe vendimmarrjes.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot tha se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë rëndësinë e transparencës në komunat e tyre.

Mihrie Rexhepi, ministre e Pushtetit Lokal, tha se niveli lokal varet nga transparenca e punës lokale andaj edhe përgjegjësia iu takon kryetarëve të komunave.

Ajo tha se tashmë kanë nënshkruar projektin që të investojë me fonde me 3 milionë euro për t’i ndihmuar qytetarët e komunave në grante.

Çmimin e parë për transparencën më të lartë komunale në Kosovë e mori Komuna e Rahovecit, çmimin për asamblenë më të mirë komunale e fitoi Komuna e Malishevës, ndërsa çmimin për komunën me progres më të madh për vitin e kaluar e mori Komuna e Graçanicës.