14:08 / E Premte, 17 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Këto janë fjalimet mbrojtëse të Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka shpallur sot fajtorë katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në muajin gusht të vitit të kaluar me totat 21 vite burg.

Gjatë seancës së të hënës, të akuzuarve u është dhënë mundësia që ta japin fjalën e tyre mbrojtëse.

Në vazhdim mund të lexoni fjalën mbrojtëse të Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit:

Fjalimi mbrojtës i Atdhe Arifit:

Gjyqi na paraqitet si instrumenti kryesor i shoqërisë së civilizuar, domethënë, i shoqërisë që do ta mbajë veten dhe s’do të lejojë që të bjerë në nivelin e totalitarizmit primitiv, përkatësisht, atij primitiv – modern. Gjyqi na paraqitet detyrimisht jo vetëm si instrument i efikasitetit të pushtetit politik të shoqërisë por edhe si indikator i dinjitetit të saj. Institucioni i fjalës mbrojtëse e forcon këtë dimension të gjyqit dhe tërthorazi edhe të shoqërisë. Prandaj institucioni gjyqësor i fjalës së mbrojtjes duket si një institucion serioz, i cili, edhe kur është vetëm formal, ka të bëjë me dinjitetin e gjyqit si një institucion politiko – juridik.
II.
Është bërë burgosje ilegale për shkak të aktiviteve tona legale. Vepra jonë, aktiviteti ynë ka karakter politik e human, jo penal e kriminal. Është vërtet e rrezikshme dhe e dhimbshme për këtë shoqëri të krijosh terroristë artificial dhe pastaj ti shpallësh e ti persekutosh ata si real.

Shkaqet juridike që i përmban aktakuza absolutisht s’mund të qëndrojnë. Arrestimi skandaloz i aktivistëve, studentëve, qytetarëve të këtij vendi vetëm pse kundërshtojnë servilitetin, nepotizmin, korrupsionin, krimin dhe tradhëtinë e bartësve të pushtetit nuk është dhe nuk duhet të jetë substancë dhe as perspektivë e asnjë lloj politike.
Ne jemi subjekt procedural në këtë procedurë gjyqësore për faktin se jemi aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Faji jonë është mendimi dhe bindjet tona politike. Detyra juaj është gjykimi ynë, gjykimi i kundërshtisë ndaj rendit pushtetmbajtës. Neni 7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton nocionin e veprës penale. Ky nocion i vë bazat e përkufizimit të veprës penale e cila është e përcaktuar me ligj e ku janë të saktësuara tiparet dhe elementet e secilës vepër të veçantë penale. Për t’u konsideruar se ndokush ka kryer vepër penale veprimi duhet t’i përmbush të gjitha elementet dhe tiparet. Cili është antagonizmi i mbajtjes sonë të izoluar për një vjet?! Them të izoluar sepse paraburgimi dhe kufizimi i lirisë janë gjendje ligjore me përmbushjen e të cilave synohet sigurimi i pranisë se palëve në gjykim dhe parandalimin e kryerjes së ndonjë vepre penale eventuale, mirëpo tek rasti jonë nuk ishte as njëra e as tjetra, pra as sigurimi i pranisë dhe as parandalimi i kryerjes së ndonjë vepre. Ne u izoluam nga aktiviteti ynë politik për 1 vjet sepse aktiviteti ynë është pengesë për grupin kriminal që e ka kapur shtetin, përfshirë edhe autoritetin pranë të cilit jemi duke u gjykuar. Andaj në këtë prizmë, ne nuk mund të konsiderohemi të paraburgosurit ordiner, por si pengu politik.
III.
Objekti i trajtimit të kësaj procedure është vërtetimi i fajsisë të shokëve dhe shoqes sonë për një nga veprat më të rënda penale që ka sanksionuar Kodi Penal. Meqë trajtimi kryesor ka të bëjë me kryerjen e veprës penale të caktuar, jam i interesuar të kuptoj anatominë teorike të këtij nocioni që është konstrukt shoqëror. Ky konstrukt i veprës penale përbëhet nga katër elemente thelbësore, e ato janë:
1.veprimi, 2. kundërligjshmëria, 3. përcaktueshmëria dhe 4. fajsia.
Për tu konsideruar se është kryer një vepër penale domosdo duhet të përmbushen këto katër elemente. Dy nga këto elemente janë të padiskutueshme në rastin konkret, e ato janë kundërligjshmëria (2) dhe përcaktueshmëria (3). Këto dy elemente janë të vërtetueshme formalisht ngase veprimi për të cilin akuzohemi është i kundërligjshëm, ndërsa përcaktueshmëria e veprës që na është vënë në ngarkesë në mënyrë të padrejtë, është e përcaktuar si vepër e veçantë penale. Çka dua të elaboroj janë dy elemente që janë shumë të rëndësishme – veprimi (1) dhe fajsia (4). Jo vetëm ne si të bashkëakuzuar, por edhe të gjithë këta njerëz që e kanë përcjellë dhe janë duke e përcjellë këtë gjykim, nuk besoj se ndonjë prej tyre e ka kuptuar se cilat janë veprimet tona konkrete. Pra konkretisht çka kam bërë unë, çka ka bërë Adea, çka ka bërë Egzoni dhe çka ka bërë Frashëri. Kjo ndërlidhet me gjendjen faktike e cila duhet të ketë një rrjedhë logjike për tu kuptuar drejtpërdrejtë dhe jo për tu supozuar apo inskenuar në mendjet tona një gjendje e tillë. Ato çka janë thënë në akuzë, provat që i ka sjellë prokuroria janë montime dhe jo mjete të provuarit.
Nga fryma e dispozitave të Kodit Penal që ka për qëllim promovimin e njohurive teorike dhe praktike të së drejtës bashkëkohore penale, kështu sipas nenit 22 të Kodit Penal:
”dijenia, dashja, pakujdesia ose qëllimi i kërkuar si element i veprës penale mund të nxirret nga rrethanat faktike”.
Pra janë rrethanat faktike që e sqarojnë se veprimi i kryer në çfarë forme është kryer dhe se cili është elementi subjektiv i cili ka qenë vendimtar për kryerjen e veprës. Problemi qëndron se ne ende nuk i dijmë veprimet konkrete mbi bazën e të cilave do të krahasonim përmbushjen e elementeve dhe tipareve të veçanta të veprës penale e cila na ngarkohet.
Elementi tjetër juridik është fajsia. Teorikisht fajsia paraqet raportin psikik në mes të veprimit – të cilin ende nuk e dijmë konkretisht – dhe kryesit. Meqë qëllimi i procedurës penale është të sqarojë të gjitha rrethanat me qëllim të vërtetimit të fajsisë, detyrë e kësaj gjykate është që të vërtetojë të gjitha elementet e fajsisë si element esencial i veprës penale. Ju fare mirë e dini që fajsia përbëhet prej dy elementeve të cilat e formojnë atë çka quhet përgjegjshmëria.Kjo përgjegjshmëri në vete përmban pra elementin intelektual – të vetëdijes dhe atë volutiv – të vullnetit. Se cilat janë provat që e vërtetojnë raportin tonë me veprën për të cilën akuzohemi, e veprimi i cili është i panjohur për ne, pra forma e fajsisë, dhe cili është intelekti dhe elementi volutiv apo veprues, këtë nuk e kemi kuptuar dhe dyshoj që do ta kuptojmë një ditë. Prej fillimit e keni nisur këtë proces të montuar politik me qëllimin e qartë që të ia bëni gjyqin e lëvizjes msonë si terroriste, por ne iu garantojmë se ky gjyq do të njihet si gjyqi i Astrit Deharit. Çka na duhet dhe kujt i shërben burgosja dhe vrasja e të rinjëve ?!
A nuk e kuptoni se aspiratat e një populli nuk mund të ngulfaten thjesht me një vendim
gjyqësor, pa marrë parasysh se sa gjykime do të organizoni dhe pa marrë parasysh se çfare do të jenë ato gjykime.
IV.
Derisa prokuroria nuk ka arritur të individualizojë veprimin e secilit nga ne, kjo nënkupton se ne jemi duke u gjykuar nën të vetmin kusht dhe cilësi – sepse jemi aktivistë të Lëvizjes
VETËVENDOSJE!. Prandaj nuk kemi individualizim të veprimit por kemi identifikim kolektiv. Kjo sepse në rend të parë preja e gjahut nuk jemi vetëm ne, por është një organizatë e tërë politike.
Këtu ka qëllim politik dhe jo juridiko – penal. Dhe nëse kështu vazhdohet, gjykata do të
shëndrrohet jo në gjykatore por në therrëtore. Jo në institucion që postulat e ka të vërtetën, por që forca që ushtrohet ndaj viktimës ka qëllimin e ndarjes së mishit nga ashti.
Ne nuk duam të jetojmë në një vend të tillë. Vend në të cilin ndaj të dobëtit flet drejtësia,
ndërsa për të fortin padrejtësia është fron. Ne sot jemi këtu vetëm për shkakun që nuk e
deshëm padrejtësinë dhe e luftuam atë, paqësisht pa e dëmtuar askënd. Përkundrazi, ne jemi të obliguar që të kujdesemi më shumë për të tjerët sesa për veten tonë. Për këtë e kishim shembull shokun tonë, Astrit Deharin, të cilin sot Kosova dhe mbarë kombi shqiptar e njeh si sinonim të vetëmohimit për kauzë të drejtë, për social demokraci. Kosova nuk do ta harroj kurrë Astrit Deharin.

Kosova nuk do ta harroj kurrë as këtë pushtet, por jo në kuptimin e njejtë si për Astritin, por si pushtetin e denigrimit, errësirës, krimit e vrasjes. Ky pushtet po e rrënon
çdo ditë lirinë, jetën dhe mirëqenien kolektive. Asnjëherë nuk do të pajtohemi me rrënimin e jetës, për këtë arsye jemi angazhuar dhe do të angazhohemi për ndryshimin e koordinatave politike dhe ekonomike në vendin tonë. Raportet feudo – klanore që i kishte Evropa para 1000 vjetëve në Kosovë po e manifestojnë tërë shkëlqimin e vet të mykur.
V.
Si duket dikush 18 vjet pas çlirimit po don të mendojë për ne si për një shoqëri primitive,
farefisnore, feudo – klanore, të prirur për dhunë, dhunime, kanibalizëm e terrorizëm. Si
shqiptarë kjo dukuri do të duhet të na brente, të na preokuponte, të na shqetësonte. Këtu e nëpër shumë salla tjera gjyqësore duhet të jenë ata që e po e rrënojnë vendin, jo ne që po përpiqemi ta çlirojmë nga kthetrat e këtij regjimi tradhtar, kriminal e korruptiv.
Fuqitë tradhtare, kriminale e korruptive sado qofshin të mëdha nuk mund të na marrin nëpër këmbë, kanë mjaft guxim e konsitencë politike shqiptarët sa për të mbrojtur dinjitetin, sovranitetin, resurset, aspiratat dhe perspektivën e tyre. Qytetarët si Astrit Dehari janë garanca për këtë. Ata tashmë janë bërë të shumta, përcjell Gazeta Observer.

Fjalimi mbrojtës i Egzon Halitit:

Zotërinj gjyqtarë, është bërë më shumë se një vit prej fillimit të këtij procesi ndaj nesh, proces tërësisht politik, pa asnjë provë e dëshmi, pra i padrejtë. Deklarata e secilit dëshmitar ishte dëshmia logjike për pafajsinë tonë. Ndërsa të gjitha analizat, ekzaminimet dhe rezultatet e policisë ishin dëshmia shkencore për pafajësinë tonë.

Rezultatet e ADN-së dolën të jenë prova shfajësuese ndaj nesh. Rezultatet e mjeteve elektronike dolën të jenë prova shfajësuese ndaj nesh. Përgjigja e FBI lidhur me video inçizimet dhe fotografitë dolën të jenë prova shfajësuese ndaj nesh. Deklaratat e dëshmitarëve dolën të jenë shfajësuese ndaj nesh.

Zotërinj gjyqtarë, poashtu është bërë me shumë se një vit prej vdekjes së aktivistit Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

Të gjitha dëshmitë prej specialistëve të pavarur të mjekësisë ligjore lënë të kuptohet se ajo ngjarje nuk ishte vetëvrasje. Provat materiale të gjetura në qelinë e Astritit, tregojnë se para se ai të ndahej nga jeta, në atë dhomë burgu ishte ushtruar dhunë mbi të. Për më tepër, siç shihet edhe në pamjet filmike, kujdestarët e burgut kur e gjejnë në dhomë, ende të gjallë, vonohen minuta të tëra para se të dalin prej aty për të kërkuar ndihmë. Dhe për pasojë e dërguan në spital me vonesë, tashmë të vdekur. Zyrtarët e lartë të policisë për të mbuluar ngjarjen tragjike, deklaruan se kinse Astriti u vetëhelmua me barna, por autopsia tregoi se nuk pati asgjë të tillë. Astrit Dehari është mbytur dhunshëm. Pak muaj më vonë humb jetën po në burg, në rrethana të dyshimta, shoku i dhomës së Astrit Deharit, që do të duhej të ishte dëshmitari kryesor në rastin e tij. Dhe unë nuk po shtoj asgjë. Të gjitha këto janë në raportimet zyrtare, dhe janë të publikuara tashmë nëpër media.

Si përfundim, që prej ditës së parë që na arrestuat u bë padrejtësia dhe krimi mbi ne, që vazhdoi me mbytjen e Astritit, dhe për këtë unë nuk dua t’iu lutem për lirimin tonë, por dua t’ua rikujtoj se çfarëdo vendimi të merrni për ne, kurrë nuk do ta zbeh as krimin e pushtetit mbi ne as pafajësinë e aktivizmin tim e as Lëvizjen VETËVENDOSJE!”