Këto janë partitë që KQZ-ja i çregjistroi sot

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin e Zyrës, për çregjistrimin e dy partive politike: Partia Republikane për Ndryshime dhe Shpresa Demokrate.
Partitë u çregjistruan për shkak të mospërmbushjes së obligimeve.
Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se Shpresa Demokrate dhe Partia Republikane për Ndryshime nuk kanë dorëzuar raportet vjetore financiare në zyrë, as pas afatit shtesë prej 15-ditësh.
“Duke u bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme si edhe në Rregullën nr. 01/2024 mbi regjistrimin dhe funksionimin e partive politike neni 6, partia politike e regjistruar duhet të dorëzoje formularin për vazhdimin e regjistrimit të saj, në formë elektronike ose ne formë fizike të nënshkruar, jo më vonë se 31 marsi i vitit kalendarik. Meqenëse data 31 mars 2025 ishte festë zyrtare (dita e hënë) sipas nënparagrafit 4 të nenit 81 të Ligjit nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative, afati për dorëzimin e formularit të regjistrimit është shtyrë deri më 01 prill 2025.
Dy partitë politike kane qenë të pezulluara për shkak të mosdorëzimit të raportit vjetor financiar për vitin 2024. Prandaj, duke u bazuar në paragrafin 17 të nenit 15 të Rregullores nr. 06/2024 për menaxhimin dhe mbikëqyrjen financiare të subjekteve politike dhe sipas vendimit të KQZ-së të datës 19.03.2025, partitë Shpresa Demokrate (me nr. vendimi 01/748-2025) dhe Partia Republikane për Ndryshime (me nr. vendimi 01/748-2025) nuk kanë dorëzuar raportin vjetor financiar në zyrë, as pas afatit shtesë prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh. Kur bëhet fjalë që është diçka e rendësishme zyra ka komunikim të vazhdueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për çregjistrim të partive politike”, tha Buzhala.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e AAK-së, Ibrahim Selmanaj, tha se është kundër këtij rekomandimi.
Sipas tij, zyrja duhet të ketë komunikim të vazhdueshëm me të gjithë partitë politike.
“Mendoj që subjektet politike që nuk janë të përfaqësuara në kuvend e as nuk kanë përfaqësues zyra duhet të ketë komunikim më ndryshe me këta. Duke qenë e nevojshme që subjektet të funksionojnë do të votojë kundër çregjistrimit të këtyre subjekteve politike. Duhet të ndërrohet qasja“, tha Selmanaj.