23:06 / E Martë, 16 Gusht 2022 / Gj. Sh

Këto janë rezultatet e tri ndeshjeve të para të playoffit në Ligën e Kampionëve

Tri ndeshje janë zhvilluar sonte në kuadër të play-offit të Ligës së Kampionëve. Bodo/Glimt shënoi fitore minimale ndaj Dinamo Zagregit (1-0) në Norvegji. FC Copenhagen mposhti kampionin e Turqisë Trabzonspor me rezultat 2-1, kurse Rangers e Skocisë barazoi me rezultat 2-2 ndaj PSV-së së Holandës

Bodo/Glimt – Dinamo Zagreb 1-0

Kampioni i Norvegjisë e ka fituar përballjen e parë kundër kampionit të Kroacisë, Dinamo Zagreb. Vendasit ishin më të mirë në këtë përballje dhe patën shanse të mira për të shënuar, pa harruar këtu edhe skuadrën kroate që kishte disa mundësi të mira shënimi. Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua në pjesën e parë nga Pellegrino në minutën e 37-të.

FC Copenhagen – Trabzonspor 2-1

FC Copenhagen ka fituar me rezultat të ngushtë ndeshjen e parë në playoff të Ligës së Kampionëve kundër Trabzonspor me rezultat 2-1. Kampioni danez e fitoi këtë përballje me dy gola të shënuar, një në pjesën e parë nga Claesson në minutën e 9-të dhe një tjetër në pjesën e dytë nga Lerager. Kampioni turk e ngushtoi epërsinë në minutën e 79-të me anë të Bakasetas.

Rangers – PSV 2-2

E vetmja ndeshje që përfundoi e barabartë ishte ajo në mes të Rangers nga Skocia dhe PSV nga Holanda. Holandezët erdhën në epërsi të parët me golin që e shënoi Sangare në minutën e 37-të. Rangers reagoi shpejt dhe barazoi rezultatin katër minuta më vonë. Lawrence i Rangers e përmbysi rezultatin në minutën e 70-të por shifrat u barazuan nga Obispo në minutën e 78-të. 

Kujtojmë së këto tri skuadra ndeshjet e kthimit i zhvillojnë të mërkurën pas një jave, ku edhe do të përcaktohen tri skuadra që do të luajnë në grupe të Ligës së Kampionëve.