75 Mall Live Search
07:33 / E Hënë, 29 Dhjetor 2025 / P M

Këto janë të dhënat e fundit nga KQZ për zgjedhjet e djeshme në Kosovë

Sipas rezultateve të fundit që janë publikuar në faqen eKQZ-së, zgjedhjet e djeshme në Kosovë kanë nxjerrë në epërsi Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Ajo aktualisht prin me 49,30 për qind të votave të numëruara deri tani.

Në bazë të të dhënave preliminare, VETËVENDOSJE! ka siguruar 429,979 vota, duke u renditur e para në shumicën e komunave të vendit. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,01 për qind ose 183,258 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,59 për qind, që përkthehet në 118,490 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5,68 për qind të votave, ndërsa Lista Serbe është renditur me 4,74 për qind. NISMA Socialdemokrate ka siguruar 1,72 për qind të votave të numëruara deri më tani.

Sipas KQZ-së, procesi i numërimit është drejt përfundimit, me mbi 99 për qind të vendvotimeve të përpunuara, ndërsa pjesëmarrja e qytetarëve në votim ka qenë rreth 45 për qind. Rezultatet mbeten preliminare dhe pritet të konfirmohen pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.

Zgjedhjet janë vlerësuar si të qeta, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë theksuar se procesi ka kaluar pa incidente të theksuara, duke reflektuar vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.