23:55 / E Premte, 19 Nëntor 2021 / MSH

Këto janë të gjitha vendimet që u morën sot në Kuvend

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit u morën një numër vendimesh.

Fillimisht u shqyrtua Projektligji nr.08/L-060 për ratifikimin e “Amendamentit nr.1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi zv/kryeministri Besnik Bislimi. 

Projektligji, pasi mori mbështetjen e grupeve parlamentare, me 83 vota u miratua nga Kuvendi.  

Kuvendi po ashtu miratoi edhe Projektligjin nr.08/L-061, për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit ”Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për NVM-të.

Ndërsa me kërkesë të propozuesit, deputetit Fridon Lala nga GP Multietnik, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, u hoq nga rendi i ditës.  

Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e parë të projektligjeve. Kështu, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, prezantoi para deputetëve katër projektligje: Projektligjin nr.08/L-023 për të drejtën ndërkombëtare private, Projektligjin nr.08/L-033 për provimin e Jurisprudencës, Projektligjin nr.08/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-049 për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar, si dhe Projektligjin me nr.08/L-035 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-017 për Ndihmë Juridike Falas.  

Pas diskutimeve, projektligjet e mësipërme me shumicë votash u miratuan në parim.  

Më pas, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, prezantoi dhe arsyetoi pesë projektligje, si në vijim: Projektligjin nr.08/L-053 për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, Projektligjin me nr.08/L-055 për Dizajnin Industrial, Projektligjin me nr.08/L-056 për Mbrojtjen e konkurrencës, Projektligjin me nr.08/L-059 për Patentat dhe Projektligjin nr.08/L057 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-089 për Deminimin Humanitar (me autorizimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj).  

Pas paraqitjes së rekomandimeve nga ana e përfaqësuesve të komisioneve funksionale, si dhe diskutimeve të deputetëve, projektligjet u miratuan nga Kuvendi.  

Në shqyrtim të parë u miratua edhe Projektligji nr.08/L-058 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-074 për Shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural, të cilin e prezantoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.  

Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratua Projektligji nr.08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë, me amendamentet e propozuara. 

Pikët e mbetura pa u shqyrtuar, do të shqyrtohen në seancën e radhës, të hënën në ora 14:00.