75 Mall Live Search
16:11 / E Mërkurë, 12 Mars 2025 / Z S

Këto janë të gjitha vendimet që u morën sot në mbledhjen e qeverisë

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku janë marrë disa vendime.

Në mesin e tyre është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes, ndërmjet Republikës së Kosovës, dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Njoftimi nga qeveria:

Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Departamenti i Mbrojtjes. Me këtë marrëveshje Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëria strategjike, si edhe ngritja e kapaciteteve strategjike ushtarake.

– Emëruar Komisionin Ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese: Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor me këtë përbërje:

Dr. Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, kryesues;

Dr. Ardita Baraku, drejtore ekzekutive në IKSHPKS, anëtare;

z. Avni Kastrati, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;

z. Haki Smajli, udhëheqës i Divizionit të burimeve njerëzore në MSH, anëtar;

z. Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

– Miratuar Rregulloren për organizim të brendshëm dhe funksionimin e Zyrës për administrimin e pronës publike në Zyrën e kryeministrit.

– Emëruar Komisionin ad hoc për vlerësimin profesional për pranim për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Drejtor ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale me këtë përbërje:

Venera Çerkini, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kryesuese;

Fahrije Tërnava, sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Brendshme, anëtare;

Avni Kastrati, drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, anëtar;

Haki Smajli, zv. udhëheqës i Divizioinit të burimeve njerëzore në ministri të Shëndetësisë, anëtar;

z. Rrahman Zahiti, ekspert i jashtëm, anëtar.

– Miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: “Programi për menaxhimin e mbeturinave të ngurta II-IV ”. Shpronësimi i pronave të evidentuara për këtë projekt janë të rëndësishme meqenëse, projekti përfshin mbylljen e deponisë aktuale dhe realizimin e deponisë sanitare të re në Pejë, në zonën kadastrale Lutogllavë.

– Miratuar Strategjinë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar 2025-2030 dhe Plani i veprimit 2025-2027 . Përmes kësaj strategjie parashihet arritja e këtyre objektiva strategjike:

Përmirësimi i cilësisë në shërbime sociale për persona me aftësi të kufizuar;

Avancimi i sistemit gjithëpërfshirës në arsimim dhe ngritjen profesionale të personave me aftësi të kufizuar; si dhe

Përmirësimi i qasjes për persona me aftësi të kufizuar.

– Miratuar kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndryshimin e Shtojcës i për të dhënat për ndarjen e granteve të përgjithshme, me qëllim të reflektimit të të dhënave të reja nga regjistrimi i popullsisë, të publikuara zyrtarisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2024.

 – Aprovuar projektet kapitale në disa komuna, si projekte shumëvjeçare, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025.

Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja, për nevoja të realizimit të projekteve “Varrezat e fshatit” dhe “Fusha sportive në Dobërçan”. Me miratimin  e këtij  vendimi konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për realizimin e projektit: Varrezat e Fshatit dhe fusha sportive në Dobërçan të Gjilanit.

– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e disa projekteve të Komunës së Hanit të Elezit. Me këtë Vendim konfirmohet ligjshmëria e procesit të shpronësimit për interes publik për realizimin e disa projekteve në Han të Elezit, si:

Rindërtimi i fushës së futbollit;

Rregullimi i pronësisë për fabrikën e ujit;

Ndërtimi i Qendrës së kulturës dherRinisë; dhe

Zgjerimi i rrugës pranë terminalit doganor.

– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme ish-shoqërore, për nevoja të realizimit të projektit “Çerdhe e fëmijëve, hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë rrugore” në Gjilan.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar. Agjencia për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK) ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të vendosjes së kontakteve me NSA-në (Nacional Security Authority) nga shteti i Sllovenisë – ku për rrjedhojë arrihet harmonizimi i vullnetit dhe gatishmëria nga të dyja palët, për të avancuar tutje arritjen e marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë. Arritja e marrëveshjes për siguri në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë, është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte:

Forcimi i bashkëpunimit dypalësh;

Sigurimi i informacioneve të klasifikuara;

Përmirësimi i kapaciteteve institucionale; dhe

Mbështetja për integrim euroatlantik.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e granat-kontratës të asistencës teknike me Nr. 2024/453-962 në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar Shqipëri – Kosovë nën IPA II (2021 – 2027)”. Qëllimi  i kësaj marrëveshjeje është organizimi i një partneriteti dhe përcaktimi i përgjegjësive të partnereve për zbatimin e pjesës përkatëse të projektit.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare, përkatësisht Marrëveshjes së partneritetit për zbatimin e prioritetit të asistencës teknike në kuadër të Programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA III Mali i Zi – Kosovë (2021 – 2027).

– Miratuar Konceptdokumentin për bujqësi organike. Sektori i Bujqësisë organike ka një rëndësi të veçantë për fermerët prodhues të kulturave bujqësore. Ky sektor kontribuon në zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, duke pasur parasysh nevojën për të plotësuar kërkesat e popullatës për ushqim cilësor.

– Miratuar Konceptdokumentin për shëndetin e bimëve. Opsioni i rekomanduar në këtë konceptdokument është hartimi i kornizës së re legjislative. Me kornizën e re ligjore është propozuar të rregullohen aspektet kyç që ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të prodhimtarisë bimore, sigurimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve bimore, dhe mbrojtjen e mjedisit.

– Rialokuar 400 mijë euro me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për zbatimin e programit Masat preventive, intervenime emergjente nëpër komuna të ndryshme. Ky projekt është në kuadër të objektivave të Planit Zhvillimor Kombëtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

– Aprovuar Rregulloren për kushtet e bartjes së pronësisë së pronës publike dhe dhënia me qira e sendeve në pronësi publike. Gjatë mandatit tonë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, për herë të parë, ka miratuar një ligj të tillë, me të cilin rregullohet prona publike, të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e organeve shtetërore, organeve të vetëqeverisjes lokale dhe subjekteve që ushtrojnë autorizime ose që administrojnë me pronën publike.

– Aprovuar Rregulloren për mënyrën e mbajtjes së evidencës së sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme dhe e regjistrimit të sendeve në pronësi publike.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Transferimin e Personave të Dënuar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

– Miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

– Ndarë 1,308,320  euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Mjetet ndahen sipas kërkesave të pranuara nga ministritë e linjës për projektet që kanë në menaxhim dhe zbatim.