20:37 / E Enjte, 16 Maj 2019 / indeksADMonline

Këto janë ushqimet që na plakin para kohe

Cilat janë ushqimet dhe pijet që favorizojnë plakjen e lëkurës duke na bërë të dukemi më të vjetër nga ç’jemi? Ariel Ostad, dermatolog me famë botërore rëndit në faqen e internetit “Health” radhit dhjetë prej tyre.

Ëmbëlsirat

 Të parat në listë janë ëmbëlsirat. Shumë sheqer në gjak dëmton kolagjenin e lëkurës duke e bërë këtë të fundit që të humbasë tonifikimin dhe elasticitetin dhe duke krijuar rrudhat.

Alkooli

Përvec sasisë së sheqernave që çliron në gjak, alkooli ndikon edhe në bërjen e një gjumi të parehatshëm dhe s’ka asgjë më të dëmshme për lëkurën se sa një gjumë i parehatshëm.

Vera e bardhë

Çuditërisht e treta në listën e doktor Ariel Ostad është vera e bardhë. Përmban shumë acide që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve. Nëse mendoni se shpëtoni dhëmbët tuaj duke i larë menjëherë pas konsumimit të dy-tre gotave verë të bardhë, gaboheni. Ostad thotë se në këtë mënyrë vetëm sa rritet prezenca e acideve ndaj këshillon që pas konsumit të verës së bardhë të pritet të paktën 1 orë e më pas të lahen dhëmbët.

Mishi i skuqur

Për shumë persona është i parezistueshëm, por efektet e tij në plakjen e lëkurës janë të mëdha. Për t’i minimizuar këto këshillohet heqja dhe flakja tutje e pjesëve të djegura që përmbajnë acide që dëmtojnë kolagjenin.

Mishi i kuq

Sapo hyn në organizëm çliron radikalët e lirë që janë dëmtuesit kryesorë të proceseve rigjeneruese të lëkurës. Nuk këshillohet eleminimi i tij, por përdorimi në mënyrë të kufizuar.

Qoftet dhe sallami

Për të mos folur për potencialin e shqetësimeve kardiovaskulare që mund të sjellin, këto prodhime përmbajnë konservantë që në shumë raste irritojnë lëkurën duke shkaktuar edhe rrudha të parakohëshme.

Ushqimet pikante

Këshillohet përdorimi i moderuar i tyre. Çdo tip lëkure është e ndjeshme ndaj këtyre ushqimeve dhe për të mos folur që shkaktojnë edhe çrregullime në menopauzë.

Kripa

Shprehja e urtë thotë: gjella me kripë dhe kripa me karar. Dora e rëndë me të në kuzhinë për një kohë të gjatë mund t’ju plakë më shpejt nga sa pretendoni. Këtu nuk përjashtohen as ata që nuk e përdorin fare në sallata apo gjellë. Disa ushqime, thotë Ostad, përmbajnë vetë sasi të mëdha kripe.

Pijet energjike

Çlirojnë acide që dëmtojnë smaltin e dhëmbëve dhe të shoqëruara me një aktivitet fizik, injektojnë në organizëm sasi të mëdha kripe. Për ata që nuk mund të bëjnë dot pa këto pije, këshillohet pirja me kallam për të shmangur kontaktin me dhëmbët.

Limonatat

Ajo që dihet është që të gjitha agrumet shkatërrojnë smaltin e dhëmbëve, por në bazë të studimit të Ostad, limoni është shkatërrimtari më i madh.