75 Mall Live Search
17:04 / E Martë, 19 Mars 2019 / indeksADMonline

Këto janë vendimet e marra sot të Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar në mbledhjen e saj të rregullt Raportin për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Qeveria ka miratuar masat për të adresuar veprimet që dalin nga ky raport për të gjitha institucionet përgjegjëse dhe kompetente për të përmirësuar situatën e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë. Qeveria ka obliguar resorët përkatës që në periudha kohore prej 90 ditësh të përgatisin raporte për realizimin e masave të përmirësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Këshillit statistikor me përbërje nga kryeshefi i ASK-së; përfaqësuesi i Ministrisë së Financave; përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë; përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; nga Ministria e Shëndetësisë; nga Zyra e Kryeministrit; nga Banka Qendrore e Kosovës; nga Administrata Tatimore e Kosovës; nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; dhe përfaqësues nga Universiteti.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin për interes publik të ndërtesës së ish-“Germia”, sipas të cilit Qeveria e Kosovës ka marr obligimin e pagesës së shumës totale të shpronësimit dhe të vlerave të kërkesave eventuale nga kreditorët.

Qeveria ka miratuar vendimin për të publikuar në shkrimin braill, të legjislacionit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, i përzgjedhur pjesërisht me qëllim të ofrimit të qasjes për personat e verbër.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për Arsimin e Lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. Rregullorja trajton çështjen e krijimit të rregullave për zhvillimin dhe ofrimin e arsimimit të lartë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Është miratuar edhe vendimi për miratimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2019-2023. Për zbatimin e këtij vendimi janë të obliguara Zyra e Kryeministrit, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe institucionet tjera përgjegjëse sipas programit. Programi i miratuar sot nga kabineti qeveritar do të procedohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 

Qeveria ka miratuar sot Strategjinë për Inovacion dhe Ndërmarrësi 2019-2023, e cila fokusohet në zhvillimin afatgjatë dhe në qasjen sistematike për mbështetjen e inovacionit me ndikime ekonomike si vlerë kryesore për ekonomi të suksesshme dhe shoqëri të begata. Strategjia për Mbështetjen e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë përcakton orientimin strategjik të identifikimit të inovatorit, zhvillimit të inovacionit dhe sisteme inovative përmes vizionit, qëllimit, të cilat do të përcillen me objektiva dhe plane të veprimit. Qëllim themelor i strategjisë është rritja e konkurrueshmëris së ndërmarrjeve kosovare dhe rritja e mirëqenies sociale përmes investimit në njohuri, kreativitet dhe inovacion. Strategjia shoqërohet nga Plani i veprimit 2019-2021.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Udhëzimi Administrativ për caktimin e kërkesave, kushteve dhe procedurave për krijimin e numrit unik identifikues të shoqërive tregtare në Republikën e Kosovës.

Koncept dokumenti për kinematografin i aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës synon adresimin e problemeve që kanë të bëjnë me fushën e kinematografisë dhe harmonizimin e Ligjit për Kinematografinë me rregullativa të reja ligjore.

Aprovimin nga kabineti qeveritar e ka marr edhe nisma për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës për bashkëfinancim të granteve të komunave sipas performancës së tyre.

Qeveria ka miratuar pasqyrat financiare preliminare për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2018. Pasqyrat financiare do të dërgohen për informim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prezantuar para kabinetit qeveritar informatën mbi ecurinë e përcaktimit të lokacionit për deponinë e mbeturinave të rrezikshme. Ministri Fatmir Matoshi ka informuar kabinetin qeveritar me kronologjinë e zhvillimeve për realizimin e këtij projekti dhe krijimin e keqkuptimeve me refuzimin e komunitetit dhe të pushtetit lokal të komunës së Fushë Kosovës për caktimin e lokacionit. Ai ka paralajmëruar takime tjera me autoritetet komunale dhe me komunitetin me qëllim të evitimit të keqkuptimeve dhe për realizimin e projektit për ndërtimin e kësaj deponie, për çka janë bërë edhe vlerësimet shkencore të ndikimeve në mjedis dhe në shëndetin e banorëve të rrethinës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të analizojë shkaqet që kanë quar në ngritjen e numrit të aksidenteve tragjike në rrugët e Kosovës dhe të rekomandoj masa për parandalimin e këtyre aksidenteve.

Gjithashtu kryeministri ka kërkuar sqarime për zbatimin e marrëveshjeve me Republikën e Shqipërisë, në fushën e kalimeve kufitare, pasi që janë vërejtur sërish kolona dhe pritje në këtë kufi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane ka njoftuar për ecurinë e realizimit të projekteve të financuara nga fondet e IPA-s dhe ka kërkuar shprehje të përkushtimit edhe nga kabineti qeveritar për mbështetje të realizimit të tyre.

Ministri i Drejtësisë ka kërkuar nga kabineti qeveritar që të zotoj mjete financiare për lidhjen e një marrëveshje të përfaqësimit ligjor të Republikës së Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, si dhe autorizimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë që të negocioj marrëveshjen e përfaqësimit.