12:32 / E Martë, 30 Mars 2021 / AR

Këto ndryshime në lëkurë mund të jenë shenjë e Covid-19

Në ditët e para të pandemisë, ekspertët e shëndetit u përqendruan te tri shenja kryesore të Covidit: ethe, kollë dhe probleme me frymëmarrjen.

Mirëpo sa më shumë zbulohej sëmundja, aq më shumë simptoma identifikoheshin si shenjë e Covidit.

Sipas një studimi të fundit të botuar në “British Journal of Dermatology” ekziston një lidhje e rëndësishme midis skuqjeve-acarimeve të lëkurës dhe Covidit. Studiuesit e bënë këtë përcaktim duke parë informacione nga 33.847 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar që kishin publikuar historinë e tyre shëndetësore, përfshirë çdo rezultat dhe simptomë të testit Covid, në aplikacionin COVID Symptom Study. Të dhënat e aplikacionit treguan se, në mesin e atyre që kishin një rezultat pozitiv të testit, 8.8% raportuan gjithashtu skuqje të lëkurës.

Sipas studimit, ndryshimet e lëkurës u shfaqen në të njëjtën kohë me simptomat e tjera Covid për 47% të të anketuarve dhe pas simptomave të tjera Covid për 35% të të anketuarve. Por ajo që studiuesit zbuluan se ishte më e habitshme ishte se 17% e të anketuarve thanë se ndryshimet e tyre të lëkurës ndodhën para ndonjë simptome tjetër të Covidit; 21% e njerëzve thanë se skuqja e lëkurës ishte e vetmja simptomë e Covidit që përjetuan.

Ndonëse skuqjet e lëkurës mund të jenë më pak të zakonshme sesa shenjat e tjera të sëmundjes, autorët e studimit tregojnë se ndryshimet e lëkurës nuk duhen neglizhuar.

Kini parasysh t’u kushtoni rëndësi ndryshimeve në lëkurë që:
– duken si morthi gjatë ditëve të ftohta
– acarim në zonën e gjoksit-qafës
– skuqje në zonën e buzëve (buzët duken si të lënduara, të thata dhe me luspa; mund të ndodhë edhe hidhërimi i gojës)
– urtikariet që shfaqen papritur në shumë pjesë të trupit.