75 Mall Live Search
09:39 / E Martë, 04 Nëntor 2025 / L A

Kevin De Bruyne reagon pas operacionit: Rikuperimi tashmë ka nisur

Fillimi i aventurës së Kevin De Bruyne te Napoli ishte premtues, por “ylli” belg ka marrë një goditje të rëndë.

Gjatë fitores 3-1 ndaj Interit, ku ai shënoi nga penalltia, mesfushori pësoi një dëmtim të rëndë në kofshën e djathtë dhe pritet të mungojë rreth katër muaj. Ky është një lajm i trishtë për napolitanët, të cilët do të duhet të përballen pa të në pjesën më të vështirë të sezonit.

Napoli, i cili pritet të jetë në garë për kualifikim në Champions, humbet një nga lojtarët më krijues në kontinent. De Bruyne ishte protagonist edhe në fitoren 2-1 kundër Sportingut, duke dhënë dy asistime për golat e Rasmus Højlund. Mesfushori 33-vjeçar u operua me sukses dhe ka nisur fazën e rikuperimit. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ai qetësoi tifozët:

“Përshëndetje të gjithëve. Siç e dini, do të jem jashtë për pak kohë. Lajmi i mirë është se operacioni shkoi perfekt. Rikuperimi im tashmë ka filluar! Faleminderit për të gjitha mesazhet”, shkroi belgu, duke sinjalizuar rikthim në fushë në vitin 2026.

Mungesa e tij do të ndihet rëndë, por De Bruyne mbetet i vendosur për t’u kthyer më i fortë. Napoli, ndërkohë, duhet të gjejë zgjidhje të tjera për të mbajtur ritmin në kampionat dhe Evropë gjatë kësaj periudhe sfiduese.