75 Mall Live Search
20:12 / E Diele, 26 Prill 2026 / G T

KF Llapi reagon ndaj komenteve në rrjete sociale: Deklaratat individuale nuk përfaqësojnë klubin

Klubi i Futbollit Llapi ka reaguar pas disa deklaratave dhe komenteve të fundit që kanë qarkulluar në publik dhe në media, duke sqaruar se ato nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të klubit.

Përmes një reagimi zyrtar, drejtuesit e klubit theksojnë se KF Llapi ka një strukturë të qartë organizative dhe vetëm përfaqësuesit e autorizuar kanë të drejtë të flasin në emër të klubit. Sipas tyre, çdo koment apo deklaratë e bërë nga persona të paautorizuar është individuale dhe nuk duhet të lidhet me klubin.

Klubi u ka bërë thirrje mediave, portaleve dhe televizioneve që të tregojnë kujdes në raportim, duke shmangur përfshirjen e KF Llapit në deklarata të individëve që nuk janë pjesë e strukturave zyrtare, në mënyrë që të parandalohet dezinformimi i opinionit publik.

“Si klub nuk mund të ndalojmë askënd nga shprehja e mendimit personal, por çdo qëndrim i tillë mbetet individual dhe nuk ka lidhje me KF Llapin”, thuhet në reagim.

KF Llapi ka bërë të ditur edhe listën e përfaqësuesve zyrtarë të klubit, duke nënvizuar se vetëm ata janë të autorizuar për komunikim publik në emër të institucionit.

Në reagim paralajmërohet se çdo keqpërdorim i emrit të klubit apo atribuim i deklaratave të rreme do të trajtohet me seriozitet dhe mund të pasohet me masa ligjore.

Nga Podujeva, klubi ka ritheksuar përkushtimin ndaj korrektësisë, transparencës dhe respektit ndaj opinionit publik.