KFOR-i dhuron pajisje të specializuara për universitetin e Pejës
Komandanti i Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Lorenzo Mangia, së bashku me ekipin e bashkëpunimit civil-ushtarak (CIMIC), morën pjesë në një ceremoni dhurimi për pajisje të specializuara për universitetin “Haxhi Zeka”, në Pejë.
RC-West dhuroi një skaner 3D, një printer 3D me kapacitet të madh dhe një prototip inovativ për riciklimin e materialeve plastike, duke mbështetur kërkimin dhe eksperimentimin teknologjik të universitetit, duke promovuar inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transferimin e njohurive në sektorin vendor prodhues.
“Në përputhje me mandatin e KFOR-it, aktivitetet e CIMIC synojnë të promovojnë mirëqenien e të gjithë njerëzve në Kosovë duke mbështetur institucionet dhe kapacitetet lokale në fushën e arsimit dhe trajnimit” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

