75 Mall Live Search
11:20 / E Premte, 05 Dhjetor 2025 / KV

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës shtojnë praninë në Zubin-Potok para seancës inauguruese (Foto)

Tek objekti komunal në Zubin-Potok është vërejtur lëvizje e shtuar e automjeteve të KFOR-it, EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, derisa pritet të nisë seanca inauguruese për kryetarin e ri të komunës.

Sot, në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit , Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok, do të mbahen seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj të dalë nga Lista Serbe pritet të marrin përsëri drejtimin e komunave.

Këto komuna kanë funksionuar nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë që nga maji 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe dhe qytetarët serbë, në vijim të dorëheqjeve të kryetarëve serbë në nëntor 2022. Largimi kolektiv atëkohë u arsyetua si kundërshtim ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore, Lista Serbe pranoi publikisht se largimi i tyre nga institucionet kishte qenë një gabim, duke theksuar se vendimi ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve mbi “gjendjen e vështirë” të komunitetit serb në Kosovë.

Prania e shtuar e institucioneve të sigurisë po shihet si masë për të garantuar zhvillimin e qetë të procesit të sotëm.