09:58 / E Enjte, 17 Shtator 2020 / indeksADMonline

KFOR-i, mbështet Policinë e Kosovës në luftë ndaj Covidit-19

Karabinierët italianë të Njësisë së specializuar shumëkombëshe të KFOR-it, i dhuruan Policisë së Kosovës 22 makina gjeneruese të ozonit për të pastruar zyrat dhe automjetet nga viruset, bakteret dhe patogjenët e tjerë.

Pajisjet u financuan nga Ministria italiane e Mbrojtjes dhe raportohet se do të lehtësojnë përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve në Kosovë kundër pandemisë COVID-19. Në muajt e kaluar ushtria italiane, me kërkesë të institucioneve të Kosovës, siguroi një ekip të përbërë nga nëntë anëtarë të personelit nga regjimenti i 7-të i mbrojtjes kimike-biologjike-radiologjike-bërthamore “Kremona”, që dezinfektoi mbi 50 objekte publike në të gjithë Kosovën në 34 komuna të ndryshme.

“Që nga shpërthimi i COVIDIt-19, vendet aleate dhe partnere të NATO-s kanë mbështetur institucionet në Kosovë si përgjigje ndaj pandemisë përmes dhurimit të pajisjeve të mbrojtjes personale dhe duke ofruar mbështetje teknike, ku KFOR-i ka një rol lehtësues”.

“Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe koloneli Enio Simone, komandant i Regjimentit MSU-KFOR, morën pjesë në ceremoninë e dorëzimit në selinë e Policisë së Kosovës në Prishtinë”.

“Aftësia e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes nuk është dëmtuar nga COVIDI-19 dhe rreth 3.500 ushtarë nga 26 kombe janë duke kryer rregullisht operacionet e tyre, ndërsa zbatojnë masa të kujdesshme dhe të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të minimizuar rreziqet për anëtarët e saj dhe për komunitetet ku ata shërbejnë, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në komunikatën për media të KFOR-it.