17:49 / E Hënë, 02 Gusht 2021 / AR

KFOR-i po ndihmon në shuarjen e disa zjarreve në Kosovë me helikopterë

Në Kosovë aktualisht janë disa vatra zjarri nëpër disa lokalitete të Kosovës, derisa vatra e cila për momentin është më serioze është fshati Shtupeq i Pejës.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në të gjitha vatrat e zjarrit janë të angazhuara me kapacitet të plotë të gjitha institucionet përgjegjëse të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së.

Në shuarjen e zjarreve janë të angazhuar ekipet e zjarrfikësve, Policia e Kosovës, pjesëtarët e FSK-së, ndërmarrjet publike dhe po ashtu një ndihmë të madhe nga ajri janë duke e dhënë pjesëtarët e KFOR-it që po ndihmojnë përmes helikopterëve në shuarjen e zjarreve.

MPB thotë se Policia e Kosovës është angazhuar seriozisht në hetimin e shkaktarëve të zjarreve dhe të gjithë personat që kanë shkaktuar zjarrvënie të qëllimshme, apo do të shkaktojnë në të ardhmen do të përballen me ligjin.