KFOR-i trajnohet për evakuim

Ushtarët e misionit të KFOR-it, që i përkasin Komandës Rajonale Perëndimore dhe Ekipeve Ndërlidhëse të Monitorimit, zhvilluan trajnim evakuimi në komunën e Rahovecit.
“Një togë italiane nga Batalioni Kinetik RC-W, që vepron si Forcë e Reagimit të Shpejtë (QRF), simuloi një skenar krize për të evakuuar një ekip austriak LMT.
Një trajnim i tillë synon të forcojë ndërveprimin dhe të rrisë gatishmërinë për të menaxhuar në mënyrë efektive situatat emergjente në zonë” thuhet në njoftimin e KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.