75 Mall Live Search
21:24 / E Shtunë, 08 Nëntor 2025 / BA

KFOR nderon kontingjentin grek në Kosovë, zhvillohet ceremonia e ndërrimit të komandës

Sot në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e dorëzimit të komandës për kontingjentin grek të misionit të udhëhequr nga NATO. Ceremoninë e ka udhëhequr zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Cahit Irican.

Gjatë ceremonisë, gjeneral Irican ka falënderuar personelin që po largohet për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë misionit të tyre, si dhe ka mirëpritur pjesëtarët e rinj të kontingjentit grek.

Në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tyre të përkushtuar, të gjithë anëtarët e kontingjentit grek janë nderuar me medaljen NATO Non-Article 5, në vlerësim të kontributit të tyre për sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

KFOR ka theksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë.

Misioni i KFOR-it punon në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke vepruar si përgjegjës për reagimet ndaj çështjeve të sigurisë./IndeksOnline/