KFOR: Po monitorojmë situatën, jemi të gatshëm të intervenojmë nëse kërkohet
KFOR është deklaruar përsëri lidhur me situatën e sotme në veri të Kosovës.
Në një deklaratë për media, KFOR ka deklaruar se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga organet e hetuesisë në lidhje me një hetim që ka të bëjë me korrupsion.
“KFOR-i informon se ky është një operacion policor dhe as Forca e Sigurisë së Kosovës apo ndonjë force tjetër ushtarake nuk është e vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, u bë e ditur nga KFOR, shkruan Indeksonline.

Gjithashtu u theksua se KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet përgjegjësi e tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara./Indeksonline/
