Kica-Xhelili prezanton planet e LDK-së për teknologjinë

Deputetja nga radhët e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka prezantuar rëndësinë e sektorit të teknologjisë së informimit në kohët moderne që po jetojmë.
Ajo ka thënë se përgjatë mandatit, LDK-ja planifikon të investojë 80 milionë euro në trajnimin e 35 deri në 40 mijë ekspertëve të rinj në këtë sektor.
Përveç kësaj, ajo thotë se synim tjetër është krijimi i një qendre kërkimore për inteligjencë artificiale, dhe programe të tjera me rëndësi, shkruan IndeksOnline.
“Mos të harrojmë, sot një ndërmarrje teknologjike, e cila investon kohë të vazhdueshme për me trajnu stafin e vet në teknologji informative, ka mundësi pas 6 muajsh me i humbë punëtorët e vet. Natyrisht, stafi duhet të jetë i lirë për me lëvizë. Por, trajnimi duhet me u konsideru si investim”, tha Kica-Xhelili.
Ajo thotë që është shqyrtuar nga stafi edhe themelimi i Ministrisë së Teknologjisë, e cila do të merret më specifikisht me këtë fushë./IndeksOnline/