75 Mall Live Search
13:53 / E Martë, 26 Gusht 2025 / H F

Kica-Xhelili reagon pas zgjedhjes së Bashës: Tragjikomedi me pasoja për shtetin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar me tone kritike ndaj zgjedhjes së deputetit të Vetëvendosjes, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kica-Xhelili ka theksuar se ndonëse qëndrimi në anën e drejtë të historisë mbetet thelbësor, ai nuk e zbut dhimbjen që shkakton papërgjegjësia politike e kundërshtarëve. Fakti që qëndron në anën e drejtë të historisë, nuk e bën më pak të dhimbshme papërgjegjësinë me të cilën tjetri i qaset shtetit”, ka shkruar ajo.

Deputetja e LDK-së ka shtuar se, ndonëse politikanët vijnë e shkojnë, janë veprimet e tyre që lënë gjurmë të pashlyeshme në institucionet e shtetit: Fundja, ne shkojmë e vijmë, por shtetit i mbetet njolla e atyre që me pompozitet e ulin skenën politike në tragjikomedi”.

Reagimi i saj vjen në vazhdën e një vargu kritikash nga përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë cilësuar emërimin e Dimal Bashës si një pasqyrim të degradimit të institucioneve dhe mungesës së seriozitetit në qeverisje. Për LDK-në dhe pjesë të tjera të spektrit opozitar, zgjedhja e Bashës shihet si simbolikë e rënies së standardeve politike në Kosovë.