75 Mall Live Search
11:08 / E Martë, 14 Mars 2023 / B O

Kica-Xhelili tregon tri arsyet e dështimit të RTK-së, kritikon bordin për vendimet e marra

Doarsa Kica-Xhelili e ka kritikuar punën e RTK-së dhe bordit të saj.

Ndër të tjera, deputetja e LDK-së ka përmendur tri arsye që sipas saj RTK ka dështuar bashkë me bordin e saj.

“Na ishte një herë një shpresë e paarsyeshme për RTK-në..
Në fundvitin 2021, u zgjodh Bordi i ri i RTK-së.
Kishte ankesa. Edhe më shumë lëvdata. Më e rëndësishmja, kurrë më parë nuk kishte pasur aq shumë koncensus politik për përzgjedhjen e një bordi të RTK-së, nga një proces tejet transparent e të vështirë.
U dakorduam që kandidatët të jenë të pavarur e paanshëm. Të mos kenë ngjyrime politike. Që Bordi të jetë 50-50. Pra, 50% gra, dhe 50% burra, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore. Kjo u mirëprit shumë, me disa përjashtime natyrisht që u eliminuan si pasojë e kësaj ‘kuote’. E pritshme. Për mua, më e rëndësishme ishte kauza.
Sot, një vit e gjysmë më vonë, RTK dëshmoi që është mision i pamundur i cilësdo kauzë të shëndoshë.
Sot, një vit e gjysmë më vonë, RTK:

  1. Ka emëruar zv. drejtor që ishte donator e anëtar i niveleve të larta të partisë në pushtet;
  2. Dështoi që në menaxhmentin e saj të zgjedh 50% gra e 50% burra;
  3. Pranoi buxhet nga Ministria e Kulturës, PAVARËSISHT që Ministri i Financave ia kishte ULUR totalin e buxhetit që u votua në Kuvend.
    PAVARËSISHT që i gjithë qëllimi i buxhetit të RTK është depolitizimi, që s’ka si bëhet përveç pavarësisë financiare.
    Pra, RTK, dëshmoi SËRISH që ka zero rezistencë politike. Asgjë e re.
    Por, pse është kaq zhgënjyese, nëse nuk është e re? Sepse ASNJË bord nuk e kishte legjitmitetin politik të të gjitha partive politike në Kuvend, sikurse ky.
    Sot, secili anëtar i atij bordi që qëndron pasiv, i heshtur e aprovues karshi këtyre fenomeneve, dëshmon që nuk është as afërsisht rezistent sikurse ishim ne në kohën kur i zgjodhëm – kur përkundër tendencave për presione, vendosëm kauzën e meritokracisë, pavarësisë dhe barazisë gjinore para së gjithash. I bartëm sharjet. I bartëm hidhërimet e linçimet e përkrahësve tonë në emër të kësaj. Lehtë nuk ishte kurrë, por ishte e domosdoshme.
    Është kot të flasim për zhgënjim. Tanimë nuk jam e sigurt a është më zhgenjyese që nuk e paskan merituar besimin që ia dhamë apo që besuam naivisht në idenë që kemi njerëz rezistent që e kuptojnë domosdoshmërinë e përmbylljes së një cikli të plotë pavarësues e avancues të institucioneve të rëndësishme.
    Por.. kujt t’i flasësh..” shkruan Kica-Xhelili në postim./Indeksonline/