Kievi i zhgënjyer me hezitimin e Gjermanisë për të dërguar tanket Leopard në Ukrainë

Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Melnyk, është shprehur i zhgënjyer për pavendosmërinë e Gjermanisë nëse do të dërgojë tanket e saj Leopard 2 në Ukrainë.
Melnyk e quajti mungesën e veprimit të Gjermanisë një “zhgënjim”, pasi fillimisht lavdëroi Mbretërinë e Bashkuar për ecjen përpara me një premtim të tankeve Challenger 2, duke shtuar se ai shpresonte se masa mund të nxiste vendet e tjera të ndiqnin shembullin.
“Mbretëria e Bashkuar është kombi i parë që dorëzon tanket Challenger 2 dhe kjo mund të jetë një shkas, shpresojmë, për vendet e tjera, por për fat të keq jo ende për Gjermaninë”. tha Melnyk në një intervistë për CNN.
Melnyk vazhdoi duke përshkruar mosveprimin e Gjermanisë si një “zhgënjim të madh për të gjithë ukrainasit”.
Gjermania nuk ka arritur deri më tani një marrëveshje me aleatët e saj kryesorë perëndimorë për dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë, pavarësisht presionit në rritje nga NATO dhe Kievi për të rritur ndihmën e saj ushtarake, përpara një ofensive të mundshme pranverore ruse.
Ministri i sapoemëruar gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se nuk është marrë ende asnjë vendim në lidhje me dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë.
Zyrtarët gjermanë treguan se ata nuk do të dërgonin tanket e tyre Leopard në Ukrainë ose nuk do të lejonin ndonjë vend tjetër me tanke të prodhimit gjerman në inventarin e tyre ta bënte këtë, përveç nëse SHBA-ja gjithashtu pranonte të dërgonte tanket e tyre M1 Abrams në Kiev.