75 Mall Live Search
13:48 / E Hënë, 09 Dhjetor 2024 / S Z

Kilaj deklarohet i pafajshëm në Hagë

Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, gjatë paraqitjes së parë në Hagë, të hënën, u deklarua i pafajshëm lidhur me të gjitha pikat e aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Deklarohem plotësisht i pafajshëm”, tha Kilaj.

Gjatë seancës, u parashtrua që gjuha e punës të jetë anglishtja për këtë çështje gjyqësore.

Ndërsa, konferenca për ecurinë e çështjes u diskutua që të jetë 17 dhjetori 2024, duke filluar nga ora 14:00.

Avokati i Isni Kilajt, Iain Edëards, tha se edhe ai dhe klienti i tij do të jenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit. Po ashtu, edhe prokurori Joshua Hafetz, parashtroi se do të jenë të gatshëm për këtë seancë dhe po ashtu edhe ata do të jenë të pranishëm fizikisht.

Paraprakisht, Kilaj tha se i kupton të gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet dhe ai u njoftua me të drejtat e tij në këtë proces gjyqësor.

Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt sot (9 dhjetor)./BetimipërDrejtësi