Kim Jong-un paralajmëron armën më të re strategjike kundër SHBA-së

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha sot se vendi i tij do të vazhdojë zhvillimin e programeve bërthamore dhe do të prezantojë një “armë të re strategjike” në të ardhmen e afërt, sipas medias shtetërore KCNA pasi Shtetet e Bashkuara humbën një afat të fundvitit për një rinisje të bisedimeve të çarmatosjes nukleare.
Ndërsa SHBA-ja bën “kërkesa të ngjashme me bandat”, përfshirë stërvitjet e vazhdueshme ushtarake me Korenë e Jugut, miratimin e armëve të mprehta dhe vendosjen e sanksioneve, nuk ka arsye që Koreja e Veriut të kufizohet më nga i ashtuquajturi Moratoriumi i testit të raketave balistike, tha Kim, sipas KCNA.
Kim mblodhi komitetin për krijimin e politikave të Partisë së Punës, në një takim katër ditor, pasi SHBA nuk iu përgjigj thirrjeve të tij të përsëritura për të rihapë negociatat, duke e hedhur poshtë afatin si ‘artificial’.
“Bota do të jetë dëshmitare e një arme të re strategjike që do të zotërohet nga RPDK në të ardhmen e afërt,” tha Kim, duke përdorur akronimin për emrin zyrtar të Koresë së Veriut, Republikën Popullore Demokratike të Koresë.
Disa orë pas deklaratës së Kim, presidenti i SHBA-së Donald Trump u tha gazetarëve se Kim kishte nënshkruar një marrëveshje për çarmatosje bërthamore dhe se ai mendon që udhëheqësi i Koresë së Veriut ishte një “njeri i fjalës”.
Sekretari i Shtetit amerikan Mike Pompeo tha se shpresonte që Koreja e Veriut “të zgjedhë paqen”.
Kim më parë kishte thënë se mund të duhet të kërkonte një “rrugë të re” nëse Uashingtoni nuk arrin të përmbushë pritjet e tij.
Komandantët ushtarakë amerikanë thanë se veprimet e Pyongyang mund të përfshijnë testimin e një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM), të cilën ajo e ka ndalur që prej vitit 2017, krahas testeve bërthamore.
Tensioni është rritur në fund të afatit të fundvitit, pasi Koreja e Veriut kreu një seri provash armësh dhe zhvilloi një ‘retorikë lufte’ me Trump.
Bisedimet bërthamore kanë bërë pak përparim edhe pse Kim dhe Trump janë takuar tre herë.
Harry Kazianis, drejtor i lartë i Studimeve Koreane në Qendrën për interesin kombëtar në Uashington, tha se Kim po provokon me kërcënime për të goditur SHBA me një armë bërthamore, me qëllim që kjo e fundit të bëjë sa më shumë koncesione.
“Koreja e Veriut, në fakt, ‘ia ka vënë ICBM në kokë’ presidentit Donald Trump në mënyrë që të fitojë dy lëshime që ajo dëshiron më shumë: lehtësimin e sanksioneve dhe një lloj garancie sigurie,” tha ai.