Kim Jong Un udhëton drejt Pekinit me tren të blinduar

Mediat ndërkombëtare raportojnë se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka lënë Phenianin për në Kinë, ku pritet të marrë pjesë në paradën ushtarake të Pekinit të njohur si “Dita e Fitores”.
Parada zhvillohet të mërkurën në Sheshin Tiananmen dhe do ta vendosë Kim-in përballë Presidentit kinez Xi Jinping, homologut rus Vladimir Putin dhe një sërë liderësh të tjerë botërorë. Ky do të jetë takimi i parë shumëpalësh ndërkombëtar i Kim Jong Un-it.
Sipas agjencisë jugkoreane Yonhap, ai u nis të hënën mbrëma nga Pheniani me trenin e tij të blinduar, i cili përfshin restorant me verëra franceze dhe ushqime luksoze si humbulla të freskët. Për shkak të sigurisë së lartë, treni lëviz me shpejtësi të ulët dhe udhëtimi drejt Pekinit pritet të zgjasë deri në 24 orë.
Kjo është hera e parë që një lider i Koresë së Veriut merr pjesë në një paradë ushtarake kineze që prej vitit 1959. Kim do të bashkohet me 26 krerë shtetesh të tjerë, mes tyre nga Mianmari, Irani dhe Kuba. Në paradën e fundit të këtij lloji në vitin 2015, Pheniani dërgoi vetëm një zyrtar të lartë, Choe Ryong-hae.
Udhëtimi i tij në Kinë shënon gjithashtu edhe daljen e parë të rëndësishme ndërkombëtare që nga takimet me Vladimir Putinin, me të cilin është takuar dy herë pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Vizita e fundit në Pekin ishte në vitin 2019, për 70-vjetorin e lidhjeve diplomatike mes dy vendeve – edhe atëherë me tren.