19:27 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Kimisti pretendon se e din formulën për rregullimin e cilësisë së ajrit

Ndalimin e veturave për qarkullim në qendër të Prishtinës, në tentim mbrojtjen e ajërit, kimisti Lulzim Zeneli po e konsideron si politikë ditore. Ai tha se ajri i ndotur është problem i akumuluar tash e sa vite.

”Ndotja e ajrit ndodh që nga vitet e ’70-ta. Në vitin 2005, kur është bërë projekti më serioz për këtë çështje në periudhën e pasluftës, është parë që shkalla e fluturimit të grimcave të pluhurit nga termocentralet kalon kufirin e depërtimit për dyfish më shumë”.

”Por, pasojat janë në të gjitha rrafshet, jo vetëm në kryeqytet. Nëse mendojmë që ta vendosim një rampë për moslejimin e qarkullimit të veturave, dijeni se nuk zgjidhet ky problem. Ky problem është akumuluar për vite të tëra e nëse mendohet të zgjidhet për një ditë është politikë ditore”.

“E tani jemi në një situatë se si të tejkalohet kjo gjendje. Ajo tejkalohet nëse evitohet burimi i ndotjes patjetër dhe eliminimi i djegies së thëngjillit në KEK”.

Në debatin e sotëm në Info Magazine, kimisti Lulzim Zeneli tha se është pozitiv vedijësimi i qytetarëve për mbrojtjen e ajrit, megjithatë kjo s’mund të ndodhë nëse politika kosovare nuk vendos si primare çështjen e mjedisit, njofton Klan Kosova.

“Jemi larg zgjidhjes së problemit. Shumë shtete i kanë zgjidhur këto probleme me profesionalizëm dhe kanë kërkuar edhe shfrytëzimin e mjeteve të fondeve të Bashkimit Europian. Nuk e di nëse Qeveria e Kosovës ka kapacitete t’i shfrytëzojë këto mjete për projekte në fushën e mjedisit”, ka thënë Zeneli.