75 Mall Live Search
15:37 / E Premte, 02 Korrik 2021 / OSH

Kina po ndërton rreth 100 vendqëndrime për raketa bërthamore, tregojnë imazhet satelitore

Ekspertët kanë konstatuar se Kina po ndërton rreth 100 vendqëndrime për raketa bërthamore (ICBM) afër qytetit të Youmen-it.

Hulumtuesit e qendrës “James Martin Center for Nonproliferation Studies” në Kaliforni i kanë shqyrtuar imazhet satelitore dhe kanë konstatuar se Kina është në proces e sipër të ndërtimit të vendqëndrimeve për raketa bërthamore.

Imazhet tregojnë 119 zona ndërtimi gati identike për të cilat analistët thonë se kanë vërejtur tipare të ngjashme me qendrat e tjera ndërtimore për ICBM, të cilat Kina po i ndërton.

Besohet se Kina posedon numër më të vogël të raketave balistike krahasuar me SH.B.A dhe Rusinë, duke numëruar rreth 250-350 sosh. Vendqëndrimet e reja tregojnë për rritjen e kapaciteteve kineze sa i përket raketave balistike.

Kina ka qenë e njohur në të kaluarën për ndërtimin e vendqëndrimeve të maskuara bërthamore.

Taktika të tilla ka përdorur edhe ShBA-ja për t’i hutuar sovjetikët dhe për ta mbajtur sekret vendndodhjen e raketave, shkruan Daily Mail.

Studiuesi Jeffrey Lewis sugjeron se Kina synon t’i arrijë ngritjen e kapaciteteve dhe shtimin e sigurisë në rajon përmes raketave bërthamore.

“Nëse llogariten të gjitha kantieret e ndërtimit në Kinë, mund të konstatojmë se totali i vendqëndrimeve arrin diku rreth 145 sosh”, prononcohet Lewis-i në përmbledhjen e tij.

Drejtori i programit “East Asia Nonproliferation Program” beson se Kina po e zhvillon forcën e saj bërthamore që ta parandalojë skenarin në të cilin ShBA-ja e kërcënon Kinën me sulm bërthamor.

Besohet se këto qendra mund të mbajnë raketa kineze të tipit DF-41, të cilat kanë aftësi të udhëtojnë rreth 15.000 kilometra dhe ta rrezikojë territorin e Amerikës.