Kina raporton se ka zbuluar një coronavirus të ri

Një ekip kinez ka zbuluar një coronavirus të ri te lakuriqët e natës, i cili mund të kalojë nga kafshët te njerëzit, pasi përdor të njëjtin receptor njerëzor si virusi që shkakton COVID-in-19.
Studimi është udhëhequr nga Shi Zhengli – një virologe e njohur, shpesh e quajtur “gruaja e lakuriqëve të natës” për shkak të kërkimeve të saj të gjera mbi coronavirusët te lakuriqët – në Laboratorin e Guangzhous, në bashkëpunim me studiues nga Akademia e Shkencave të Guangzhous, Universiteti i Wuhan-it dhe Instituti i Virologjisë në Wuhan.
Shi është e njohur për punën në institutin e Wuhanit, i cili ka qenë në qendër të polemikave për origjinën e COVID-it 19, me një teori që sugjeron se virusi mund të ketë dalë nga një rrjedhje laboratorike në qytet.
Ndërsa ende nuk ka një konsensus mbi origjinën e virusit, disa studime sugjerojnë se ai buron nga lakuriqët dhe mund t’u jetë transmetuar njerëzve përmes një kafshe ndërmjetëse. Shi ka mohuar që instituti të ketë qenë përgjegjës për shpërthimin e virusit.
Zbulimi i fundit është një linjë e re e coronavirusit HKU5, i identifikuar për herë të parë te lakuriqi japonez i natës në Hong Kong, shkruajnë mediat e huaja.
Virusi i ri i përket nënllojit merbecovirus, ku përfshihet edhe virusi që shkakton sindromën respiratore të Lindjes së Mesme (MERS).
Ky virus është në gjendje të lidhet me enzimën konvertuese të angiotenzinës (ACE2) te njerëzit, të njëjtin receptor që përdor virusi SARS-CoV-2, shkaktari i COVID-it19, për të infektuar qelizat.